Sot kanë nisë votimet për zgjedhjet 2025. Po!!! Zgjedhjet janë më 09 shkurt, por votimet kanë nisë sot!
Nga sot e deri më 8 shkurt, mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9 shkurt. Ndërsa më 8 shkurt, ata do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike të Kosovës në 22 vende të botës.
Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Pra, 67.421 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, kurse 17.104 do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Gjermani 44.774, Zvicër 27.248 Francë 4.629 Suedi 3.958 Austri 3.932 Itali 3.810 SHBA 2500 etj etj. Dizajni i fletëvotimeve është miratuar, procedura dihet de në rregull jemi. Diqysh, edhe pse fushata nisë të shtunën, nëse sot kanë nisë votimet, e ddi shembuj të njerëzve që sot menjëherë i kanë nisë votat e me postë, kam vendosur që këto të jenë minuta te fundit të Hoxhës derisa të kryhen zgjedhjet. Edhe pse qoftë si autor emisioni, qoftë si shef redaksie më lejohet që të marrë anë me qëndrime editoriale, nuk e kam ndër mend që gjatë fushatës, as të marrë anë, e qe besa as të janë qëndrime personale shumë.
Për qëndrimet personale ka me pasë kohë e rast pas 09 shkurtit, kurse banorëve të Kosovës, këtë muaj paritë do të tentojnë sërish t’ua mbushin mendjen të votojnë për to dhe mendoj që s kanë nevojë edhe për ndërhyrje të miat.
Mirëpo, për 35 episode, në këta minutat hyrës kam tentuar që faktet, satirën dhe figurat letrare ti përdori për kritikë, sot e kam ndërmend ti përdori për një lavdatë të madhe që Kosova e meriton.
Pavarësisht krejt asaj që partitë deklarojnë, pavarësisht krejt punës dhe zullumit që e bajnë, pavarësisht krejt pakënaqësive e frustrimeve që secili nga ne i ka me këtë shtet, e me këtë shqoëri një gjë është e sigurt dhe për këtë gjë secili kosovar duhet të jetë krenar, e ajo është – Kosova është demokracia më e mirë në rajon!!!
Gati të pakrahasueshëm e shumë zor të arritshëm jemi si shoqëri në raport me të gjitha vendet e rajonit. Demokracia në Kosovë është vlerë themelore e shoqërisë, ndonëse i kemi veç 35 vjet që jemi dalë nga komunizmi, prej tyre 9 në okupim dhe nuk i kemi as 20 vjet si shtet.
Kjo është mëritë e madhe e popullit, edhe e partive edhe e institucioneve dhe bazohet në tri shtylla:
E para – në Kosovë në pushtet vjen kur i fiton zgjedhjet. Ka pasë momente kur parti të caktuara kanë pasur shumë më shumë muskuj, shumë më shumë potencial fizik dhe kontroll të terrenit, por jo edhe kontroll të votës.
Nuk kanë ardhë në pushtet, sepse nuk kanë fitu në zgjedhje – pikë! Ka pasë momente kur parti të caktuara kanë qenë në gjendje të mobilizojnë qindra mijëra njerëz për një peticion, opse për një valë të protestave, ose për një hallakamë, por nuk i kanë pasë votat në kuti për të fituar dhe nuk kanë ardhe në pushtet. Ka pasë sulme ndaj të dhunshme ndaj organeve të rendit dhe ndaj shtetit, por ato në pushtet nuk e kanë sjellë askënd – i ka sjellë vota!
Në këtë vend nuk ka qeverisë kush, nëse nuk ka qenë i përkrahur nga shumica dhe ky standard është vlerë e duhet të jetë burim krenarie!
Shtylla e dytë e kësaj demokracie është Gjykata Kushtetuese. Kosova ka kushtetutë shumë përparimtare, por edhe një klasë politike dhe një gjykatë kushtetuese që deri sot i ka qëndruar prapa.
Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka rrëzuar Presidentë, ka rrëzu kryeministër, ka interpretuat lijin e zgjedhjeve duke ndikuar direkt në hartën politike të Kosovës dhe në fatin e disa partive politike, ka ndërhyrë në raste kur është rrezikuar funksionimi i shtetit, ka kornizuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ka kornizuar reformën në drejtësi dhe ka shërbyer si burim i standardeve të politikës së sotme.
Politika, me disa përjashtime palidhje, por jo të papërfillshme ka zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ka treguar se në këtë shtet krahas vullnetit të popullit ka edhe një akt juridik e politik suprem dhe ka interpretime të atij akti që respektohen!
E treta – e për këtë kam folë edhe më herët është transferi i rregullt dhe paqësor i pushtetit. Njerëz me shumë fuqi, ego, krenari, pare e potencial konstruktiv e destruktiv kanë pasë pushtet në Kosovë, por kur kanë humbë në zgjedhje, atë pushtet e kanë dorëzu në mënyrë të rregullt e paqësore dhe të tjerët e kanë marrë atë pushtët në po këtë mënyrë.
Këto tri vlera – ZGJEDHJET FER DHE VOTËN E LIRË, vendimet e GJYKATËS KUSHTETUESE dhe TRANSFERIN E RREGULLT E PAQËSOR të pushtetit nuk bën ti harroni gjatë ditëve në vazhdim.
Për 30 ditë, keni me u lodhë nga premtimet e mëdha, fjalimet palidhje, shifrat e paarritshme, budallakitë në rrjete sociale, lajme e postime të rrejshme, e shumë e shumë gjëra të shëmtuara.
Por, më 09 shkurt duhet të jeni krenar dhe mirënjohës që votoni të lirë, në një sistem zgjedhor ku vota vjedhet pak, ose më së paku në Ballkan, në një shtet që respekton një kushtetute moderne dhe ku në pushtet janë partitë që e kanë shmumicën!
Ruajeni veten, ruajeni shneten gjatë fushatës, e ruajni vlerat dhe demokracinë pas zgjedhjeve!