Skuadra e Trepçës nuk arriti të marrë rezultat pozitiv në përballjen e radhës në FIBA Europe Cup, duke u mundur në udhëtim nga Basketball Lown Braunschweig me rezultatin 80:70.
Mitrovicasit përballen me një kampanjë të vështirë në garat evropiane dhe tani kanë vetëm një ndeshje të mbetur në fazën e grupeve, ndaj Anwil Włocławek më 19 nëntor në Poloni, me fillim nga ora 18:30.
Skuadra gjermane nisi furishëm, duke fituar çerekun e parë 25:13, ndërsa Trepça reagoi disi në periudhën e dytë, të cilën e fitoi 16:14, por në pushim shkoi me 10 pikë disavantazh (39:29). Pjesa e tretë i përket sërish vendasve, të cilët e fituan me 30:17, duke e çuar rezultatin në 69:46 përpara çerekut të fundit.
Në dhjetë minutat e fundit, Trepça tregoi karakter dhe me një seri të fuqishme 18:0 ngushtoi rezultatin në 72:64, duke rikthyer rivalitetin në parket. Megjithatë, tre minuta e 49 sekonda para fundit, Grant Sherfield shënoi trepikëshin e parë për Braunschweig, duke ndalur përpjekjet e mitrovicasve.
Skuadra gjermane ruajti qetësinë dhe mbylli ndeshjen me fitore 10 pikë dallim.
Nga Trepça, më i dalluari ishte Mustapha Amzil me ** pikë, 8 kërcime dhe 2 asistime, ndërsa Drilon Hajrizi shtoi 15 pikë, 11 kërcime dhe 4 asistime.
Kjo është pjesëmarrja e katërt e Trepçës në FIBA Europe Cup, por ekipi nga Mitrovica ende nuk ka arritur të kalojë fazën grupore.







