Tregu tradicional i Skenderajt, i cili për vite me radhë ka qenë pjesë e pandashme e qytetit, tashmë nuk do të mbahet më aty. Vendimi për ta zhvendosur në fshatin Polac ka sjellë reagime të shumta e pakënaqësi tek qytetarët, të cilët janë mësuar që pazarin ta bëjnë në qendër.
Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve, tregu në Polac po vazhdon të funksionojë me gjallëri. Ofertat janë të shumta, sidomos për prodhimet bujqësore dhe perimet e freskëta. Specat, që janë ndër më të kërkuarit në këtë periudhë të vitit për përgatitjen e ajvarit dhe turshive, po shiten me çmime që variojnë nga 4 euro e 50 cent deri në 6 euro për një thes.
Përveç mundësisë për të bërë blerje, tregu i Polacit po shihet edhe si një hapësirë socializimi, ku njerëzit jo vetëm blejnë produkte, por edhe kalojnë kohë së bashku në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.
Organizatorët shpresojnë që me kalimin e kohës banorët do t’i përshtaten kësaj ndërrese dhe tregu të vazhdojë të mbetet një pikë takimi e rëndësishme për komunitetin.