Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është përballur me akuza që lidhen me të ashtuquajturat “safari snajperësh” gjatë rrethimit të Sarajevës në Luftën e Bosnjës, shkruan mediumi britanik The Telegraph.
Akuzat janë ngritur nga gazetari investigativ kroat, Domagoj Margetiq, i cili ka paraqitur një kallëzim në prokurorinë italiane. Autoritetet në Milano tashmë kanë hapur një hetim për përfshirjen e qytetarëve italianë, rusë dhe amerikanë në këto aktivitete të dyshuara kriminale.
Margetiq thotë se Vuçiq, në atë kohë i ri dhe pjesë e një njësie paraushtarake të lidhur me Partinë Radikale Serbe, ka qenë i pranishëm në pozicionet e snajperëve në varrezat hebraike të Sarajevës — një prej pikave më të njohura nga ku forcat serbe qëllonin qytetin.
“E kam informuar zyrën e prokurorit publik për të gjitha njohuritë e mia në lidhje me lidhjen e Aleksandar Vuçiq me safari me njerëz në Sarajevën e kohës së luftës. “Kam bashkëngjitur të gjitha provat, materialet video, dokumentacionin fotografik, dokumentacionin audio dhe video, si dhe dokumentacionin mediatik të asaj kohe”, thotë gazetari kroat, shkruan mediumi britanik.
Ai thotë se ka dorëzuar prova, përfshirë video, fotografi dhe dokumente të kohës së luftës, që sipas tij e lidhin Vuçiçin me aktivitetet e kësaj njësie.
Në një nga videot e publikuara rishtazi, duket një i ri, për të cilin supozohet se është Vuçiq, që udhëton me një automjet ushtarak në bagazhin e të cilit shihet një kafkë njerëzore me helmetë paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Vuçiq dhe mbështetësit e tij e mohojnë me forcë këtë version, duke thënë se ai në atë kohë punonte si gazetar dhe objekti që shihet në video ishte një trekëmbësh kamere, ose sipas vetë Vuçiqit, një çadër.
Zëdhënësja e presidentit, Suzana Vasiljeviq, i quajti pretendimet “dezinformim dashakeq”, të motivuara politikisht për të dëmtuar Serbinë në arenën ndërkombëtare. Ajo theksoi se Vuçiq “nuk ka marrë pjesë në aktivitete luftarake dhe nuk ka mbajtur armë”.
Pretendimet për ekzistencën e “safarive të snajperëve” janë bërë publike edhe më herët. Dokumentari slloven “Sarajevo Safari”, i publikuar në vitin 2022, ngriti akuza të ngjashme, duke sugjeruar se turistë të pasur huaj lejoheshin të gjuanin civilët boshnjakë nga pozicionet serbe në kodrat mbi qytet.
Hetimet italiane përfshijnë deklarata të një diplomati të atëhershëm italian, Michael Giffoni, i cili kujtoi se inteligjenca italiane kishte ndalur ardhjen e disa shtetasve të dyshuar për përfshirje në këtë praktikë.
“E dini, po organizohen safari. Shumë njerëz të pasur po vijnë këtu – disa janë gjuetarë, të tjerë janë biznesmenë. Ushtria dhe paraushtarakët i çojnë në kodrat [mbi Sarajevë] dhe për këtë paguajnë”, ka deklaruar ai.
Ekspertët e Ballkanit thonë se ndonëse akuzat janë serioze dhe potencialisht të besueshme, ato duhet t’i nënshtrohen një hetimi të thellë dhe të pavarur. Dr. Helena Ivanov paralajmëroi se gjatë luftës kanë qarkulluar edhe histori të trilluara, ndaj provat duhet të jenë “të pakontestueshme” përpara se të nxirren përfundime, shkruan The Telegraph.
“Shumë gjëra të tmerrshme ndodhën gjatë luftës, por pati edhe histori të tmerrshme që rezultuan të mos ishin të vërteta – pretendime se ekstremistët myslimanë hodhën foshnja serbe te luanët në një kopsht zoologjik, sepse në qëndrim, ose që luftëtarët në të tre anët bënë gjerdanë nga gishtat e foshnjave. Historitë e rreme mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë. Sa herë që ka një pretendim që është vërtet shpërthyes, si ai për safaritë me snajperë, ai duhet t’i nënshtrohet një hetimi të plotë dhe transparent. Nëse ka akuza të besueshme, atëherë ato duhet të hetohen”, tha ajo për The Telegraph.
Ndërkohë, Jasmin Mujanoviq, i cili publikoi videon që është bërë virale, tha se ekziston “një bazë gjithnjë e më e madhe provash”, përfshirë dëshmi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, për ekzistencën e këtyre aktiviteteve makabre.
“Ato meritojnë të shqyrtohen më tej nga agjencitë policore italiane dhe të tjera ndërkombëtare. Në fakt, shpresohet që ato të gjenden si legjenda urbane, duke pasur parasysh tmerrin e nënkuptuar. Por nëse janë të vërteta, atëherë duhet të ngrihen akuza të forta penale kundër të gjithë atyre që janë të përfshirë”, deklaroi ai.
Ai bëri thirrje për hetime ndërkombëtare, duke shtuar se nëse akuzat rezultojnë të vërteta, duhet të ketë përgjegjësi penale në disa vende.







