Tetë njerëz kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë lënduar të hënën si pasojë e zjarrit në një shtëpi të pleqve në periferi të kryeqytetit të Serbisë, Beograd, raportoi Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të hënën në komunën e Barajevës, në jug të Beogradit.
Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Nemanja Staroviq, tha se 13 njerëz janë evakuuar nga ndërtesa si pasojë e zjarrit.
Staroviq tha për RTS-në se, sipas të dhënave fillestare, ka shenja se bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme.
Ai shtoi se shtëpia e pleqve ka licencë të vlefshme pune dhe se plotësonte kërkesat për mbrojtje nga zjarri. Ai tha gjithashtu se për të evakuuarit është siguruar strehim i menjëhershëm.
Luka Qaushiq, ushtrues detyre i shefit të Departamentit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i tha RTS-së se në shtëpi ndodhshin 30 njerëz.
Shtatë të lënduar, shtoi ai, janë marrë nga autoambulanca dhe janë dërguar në Akademinë Mjekësore Ushtarake dhe në Qendrën Emergjente.
Një numër i madh i zjarrfikësve dhe makinave zjarrfikëse kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit.
“Ata janë ende duke kërkuar nëse mund të ketë një burim të mbetur që mund të shkaktojë ndonjë zjarr të ri, ndërsa shkaku do të përcaktohet në orët në vijim”, tha Qaushiq.
Ai shtoi se shtëpia e pleqve ndodhet larg rrugëve të frekuentuara, por zjarrfikësit kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe të lënduarve u është ofruar ndihmë sa më parë.
Barajeva është një nga 17 komunat e Beogradit dhe ndodhet 30 kilometra në jugperëndim të qendrës së kryeqytetit.