Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter është regjistruar në orën 01:50 të mëngjesit të së mërkurës në zonën detare mes ishujve të Kretës, Kasos dhe Karpathos, duke shkaktuar shqetësim tek banorët.
Tërmeti shkaktoi shqetësim te banorët e ishujve të Egjeut jugor dhe në Kretën lindore, ku u ndje veçanërisht, megjithëse epiqendra e tij ishte në një thellësi prej 60 km.
Ai u ndje gjithashtu në disa zona të Atikës dhe përgjatë bregdetit të Turqisë.
Nuk ka raportime për të lënduar apo për dëme materiale, ndërsa sizmologët shprehen se pavarësisht fuqisë së lëkundjes, nuk do të ketë tërmete të tjera, raporton TopChannel.
Ndërkohë nëpërmjet numrit 112 është dërguar mesazh tek banorët me paralajmërim për cunami dhe kërkesë që të largoheshin nga brigjet.
Kreu i OASP (Organizata për Planifikimin Antisizmik) Efthymios Lekkas theksoi se bëhet fjalë për një tërmet që ndodhi pikërisht mbi harkun grek, pra në vendin ku përplasen pllakat tektonike evropiane dhe afrikane dhe se nuk ka asnjë lidhje absolutisht me tërmetet në Santorini apo me tërmetin që ndodhi në Turqi.
Pavarësisht distancës relativisht të madhe të Iraklios nga epiqendra, tërmeti u ndje si tre “valë” me intensitet të ndryshëm dhe me ndjesinë e zgjatjes për të paktën 15 sekonda.