Psikologu Naim Telaku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova është një shoqëri në tranzicion dhe përballë një sistemi të brishtë, që e bën atë të ndjeshme ndaj ndikimeve ekstremiste nga jashtë.
Sipas Telakut, ekstremizmi fetar në Kosovë nuk është fenomen i ri dhe nuk kufizohet vetëm te një fe, por përfshin edhe grupe të tjera që kanë ushtruar ndikim përmes rekrutimit dhe izolimit të qytetarëve.
“Ne jemi një shoqëri me një sistem të brishtë të drejtësisë… jemi goxha tokë e pëlleshme për kultivim të ndikimeve nga më të ndryshme të jashtme. Kemi pasë organizata që funksionojnë deri në nivel të kulteve që rekrutojnë qytetarë për misione të ndryshme. Prej Kosovës i kemi pasur rreth katërqind kosovarë që kanë shku në luftë në Siri dhe në Irak. Policia e Kosovës ka bërë shumë aksione të suksesshme në parandalim të një ekstremizmi të kësaj natyre”, tha Telaku.
Ai theksoi se rasti i rreshterit Muhamed Lika është një ilustrim i qartë i përballjes me ekstremizmin dhe duhet të vlerësohet si akt heroik.
“Unë besoj që kjo është një lloj importimi i një ekstremizmi, i një fundamentalizmi të kësaj natyre. Lufta që e ka bërë rreshteri Muhamed Lika është pjesë e kësaj përballjeje dhe ramja e tij në detyrë është një heroizëm për t’u vlerësuar, që shkon edhe në nivele të rreshterit Afrim Bunjaku”, deklaroi Telaku.
Deklaratën e plotë të Naim Telakut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: