Pikënisje e lirisë. Kështu e konsiderojnë Prekazin, qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare. Për çdo mars, ky fshat pret vizitorë të shumtë të cilët nderojnë heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe familjes së tij, shkruan KosovaPress.
Jasharët, zhvilluan rezistencë më 5, 6 dhe 7 mars, ku u përballën me forcat serbe, më 1998. Ai ishte sulmi i tretë ndaj tyre por që mori jetën e 55 personave – 22 prej të cilëve ishin të familjes së ngushtë të Adem Jasharit.
Pesë, gjashtë dhe shtatë marsi shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – manifestim që mbledh në Prekaz qytetarë, organizata e përfaqësues të institucioneve, shkruan KosovaPress.
Qytetarët të cilët bënë homazhe të mërkurën thanë se familja Jashari është ajo që e solli lirinë e Kosovës.
Në mesin e vizitorëve, ishte edhe Xhevahir Xhemshiti nga Vitia, i cili kishte qenë ushtar i Brigadës 138.
Xhemshiti, rrëfeu se ditën kur kishte filluar lufta në Drenicë, së bashku me familjen e tij, u nis që të ndihmonte familjen Jashari, por u ndaluan në Prishtinë nga disa persona, shkaku i rrezikshmërisë.
“Është krenari dhe mërzi, për atë se çka ka ndodhur këtu, por tash ndihemi krenarë, që e gëzojmë këtë liri, falë këtyre jemi këtu. Këta janë pikënisja e gjithë lirisë. Unë atë ditë, kur ka ndodhur masakra, luftimi në Drenicë, jam nisur me iu bashkëngjitë me gjithë dajtë dhe dajën e dajës së babait, jemi nisur deri në Prishtinë, por kur kemi mbërri aty nuk na kanë lejuar disa persona, na kanë thënë vazhdoni tutje se jeni në rrezik”, tha Xhemshiti.
Ndërkaq, Iliri nga Çamëria, u shpreh për KosovaPress se është fat i madh në këtë shekull “kur po sulmohet nacionalizmi dhe patriotizmi” shqiptarët të kenë heronj të tillë që i kujtojnë.
“Drenica dhe familja Jashari, sidomos për ne nga Çamëria është një inspirim shumë i madh shpirtëror. Është një ringjalle ose një lindje, e aspiratave tona kombëtare të katër vilajeteve. Ne epiriotët e Çamërisë, e kemi shumë për zemër Dardaninë, unë nuk mund t’i them dot Kosovë… Është fat i madh, në këtë shekull të ri që jemi futur, kur po sulmohet nacionalizmi dhe patriotizmi, ne kemi heronj të tillë, që na tregojnë ku duhet të ecim, të ringjallemi dhe të respektojmë traditën tonë…dikur ju e shikonit inspirimin tek ne mëma Shqipëri, kurse tash ne po shohim inspirimin në Dardani”, u shpreh ai, shkruan KosovaPress.
E anëtari i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Skenderaj, Agron Kajtazi, i cili kishte ardhur me anëtarë të organizatës, shtoi se këto tre data që duhet mbajtur mend janë mobilizimi, apo mbjellja e dashurisë për atdhe.
“5,6 dhe 7 marsi është mobilizimi, apo ajo mbjellja e dashurisë për atdhe, rrokja e pushkës e shumë luftëtarëve gjithandej trojeve”, shtoi Kajtazi.
E Rexhep Alija nga Mitrovica tha se “në ketë tokë ka lindur liria e gjithë shqiptarisë”.
“Këtu ka lindur liria e Kosovës dhe gjithë shqiptarisë. Dhimbja ekziston, por është edhe krenaria mbasi këtu lindi liria”, vijoi Alija.
Sulmit të marsit në familjen Jashari i kishte mbijetuar vajza e Hamëz Jasharit, Besarta, e cila pa tmerrin derisa po i vriteshin anëtarët e familjes.