Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nënshkrimi i 30 kontratave njëburimore në vlerë prej 72 milionë euro në KEK, dëshmojnë abuzimin që ka bërë ish-drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Në seancën e sotme të Kuvendit, Tahiri tha se arrestimi i tij është i duhur, derisa shtoi se legjislativi po bën mirë që po diskuton në lidhje me zhvillimet në KEK dhe arrestimin e tij.
“Për pesë muaj KEK ka nënshkruar në vlerë prej 72 milionë euro 30 kontrata njëburimore të Nagip Krasniqit, i cili sot besoj se është me plot të drejtë në paraburgim. Mimoza e ka shqetësim të madh pasi e njëjta ka mundur me qenë në të kaluarën pasi është ndjekur politikisht nga drejtori i Bordit, që në atë kohë ka qenë si ekspert i Prokurorisë Speciale”, tha ai.
Duke arsyetuar thirrjen e kësaj seance, Tahiri tha se Kuvendi ka të drejtë të diskutojë kur arrestohet një zyrtar i lartë i partisë në pushtet.
“Kuvendi i Kosovës e ka të drejtën me thirr seancë të jashtëzakonshme kur arrestohet një zyrtar i lartë politik i një partie politike. Ne nuk po flasim për një njeri të rëndomtë që ka qenë më herët në KEK dhe është emëruar drejtor, por ne po flasim për arrestim të personit kyç në LVV që drejtonte komitetin e politikave që lidheshin me energji”, shtoi Tahiri./kp