Superliga e Kosovës rikthehet këtë mesjavë me sfidat e xhiros së gjashtë, ku spikat super-derbi mes Ballkanit dhe Dritës që do të zhvillohet të enjten në Suharekë.
Therandasit, të pamposhtur deri tani në këtë edicion, do të synojnë të vazhdojnë serinë pozitive dhe të ruajnë epërsinë në fushën e tyre, ndërkohë që Drita, pas fitores së parë të sezonit në fundjavën e kaluar, do të kërkojë të ndërtojë një ecuri të re pozitive.
Një tjetër duel interesant do të jetë ai mes Dukagjinit dhe Llapit në Klinë. Vendasit e kanë nisur sezonin për mrekulli dhe aktualisht ndajnë kreun e tabelës me Prishtinën. Për këtë arsye, skuadra e Ismet Munishit synon maksimalen ndaj një Llapi në krizë.
Skuadra nga Podujeva, e drejtuar nga Tahir Batatina, ende nuk ka arritur të shijojë fitoren këtë edicion. Me tri barazime dhe dy humbje në pesë ndeshje, llapjanët ndodhen në fundin e renditjes dhe do të kërkojnë një kthesë të shpejtë.
Katër ndeshje do të zhvillohen nga ora 15:00, ndërsa derbi kryeqytetas mes Prishtinës dhe Prishtinës së Re do të luhet në mbrëmje, nën dritat e reflektorëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:15. /ATVLIVE.TV