Forca të shtuara të Policisë së Kosovës bashkë me KFOR-in janë parë të stacionuara në rrugën Mitrovicë – Zveçan, përkatësisht në afërsi të Banjskës pas sulmit tragjik që ndodhi rreth orës 02:34, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u plagosën dy të tjerë.
Pas këtij sulmi, kryeministri Kurti ka njoftuar se do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës në orën 10:00.
Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën zyrtare në Nju Jork.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, konfirmoi për KosovaPress se Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën dhe do të niset menjëherë drejt Kosovës.
Kujtojmë se Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe kontributin e tij për stabilitetin rajonal. Ajo rekomandon politika dhe strategji për sigurinë. Këshilli i Sigurisë i Kosovës duhet të ofrojë informata dhe vlerësime të gjendjes së sigurisë në Kosovë, që t’i mundësojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës marrjen e vendimeve përkatëse lidhur me çështjet e sigurisë.
Takimet e Këshillit të Sigurisë nuk janë të hapura për publikun.