Një studim i fundit ka ngritur shqetësime serioze mbi nisjen e punës para orës 08:00 të mëngjesit. Edhe pse për disa duket mënyrë për “të fituar kohë”, psikologët dhe ekspertët e gjumit paralajmërojnë se kjo praktikë mund të shkaktojë dëme të ndjeshme në shëndet dhe performancë. Disa prej tyre, të intervistuar nga Newsweek, theksojnë se shumica e njerëzve nuk janë biologjikisht të përshtatur për të filluar punën kaq herët.
Psikologia e gjumit, Jessica Meers, shpjegon për “Newsweek” se ritmi cirkadian i shumicës së individëve favorizon zgjimin midis orës 07:00–08:00. Sipas saj, nisja e punës më herët krijon “mospërputhje cirkadiane”, duke ndikuar negativisht në vëmendje, reagim dhe produktivitet.
Edhe psikologia e punës, Marie-Helene Pelletier, thekson rëndësinë e një periudhe tranzicioni pas zgjimit. Ajo paralajmëron se fillimi i menjëhershëm i punës rrit mjegullimin mendor për shkak të “inercïsë së gjumit” dhe madje mund të ndikojë edhe në cilësinë e përgjithshme të gjumit.
Këto shqetësime mbështeten edhe nga hulumtimet shkencore. Një studim i vitit 2022 në Journal of Clinical Sleep Medicine zbuloi se puna me turne – e cila prish ritmet cirkadiane – lidhet me probleme serioze shëndetësore, përfshirë atakun në zemër dhe diabetin. Ndërsa një tjetër studim i vitit 2023 në Journal of Investigative Medicine raportoi se ndërprerja e ritmit cirkadian mund të rrisë rrezikun për kancer kolorektal.
Sipas neuropsikologes Sanam Hafeez, oraret tepër të hershme dëmtojnë zakone thelbësore të mëngjesit, si ushtrimet dhe konsumimi i një vakti të shëndetshëm. Kjo, sipas saj, ul energjinë, rrit stresin dhe dëmton funksionet kognitive.
Ajo shton:
“Kur puna fillon herët, shumë njerëz kanë më pak kohë në mëngjes për zakone të rëndësishme, të tilla si ushtrimet fizike ose ngrënia e një mëngjesi të mirë. Anashkalimi i ushtrimeve fizike mund të çojë në ulje të energjisë dhe rritje të stresit gjatë gjithë ditës. Mungesa e një mëngjesi të shëndetshëm do të thotë që trupi dhe truri juaj nuk marrin karburantin që u nevojitet për të funksionuar mirë.”
Ekspertët e shëndetit mendor paralajmërojnë se zgjimi tepër i hershëm rrit irritimin, stresin, ankthin dhe madje ndikon në marrëdhëniet sociale, duke shtuar ndjesinë e izolimit. Pelletier rekomandon një periudhë të shkurtër “ngrohjeje mendore”, si planifikimi i ditës, ushtrime të lehta ose meditimi, para se të fillojnë aktivitetet intensive të punës.







