Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë zhvilluar trajnim të përbashkët me pjesëtarët e Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.
Qëllimi i stërvitjes siç thuhet, ishte rritja e gatishmërisë për menaxhimin e emergjencave dhe forcimi i bashkëpunimit mes trupave të KFOR-it dhe ekipeve vendore të reagimit të parë. Trajnimi përfshiu kujdes mjekësor emergjent, shpëtim në lartësi, zbritje me litar dhe trajnim për zhytës.
“KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe të pandërprerë. KFOR vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë – EULEX”, shkruhet tutje në njoftimin e KFOR-it në Facebook.