Spiuni i dyshuar rus synon post të lartë sigurie në Serbi dhe Azi Qendrore

Një diplomat rus, i tërhequr nga Brukseli mes një spastrimi të spiunëve nga autoritetet belge, është nominuar për të drejtuar misionin në Beograd të organit më të madh të sigurisë në Evropë, sipas një hetimi të përbashkët të Radios Evropa e Lirë dhe disa mediave evropiane.

Moska ka nominuar Dmitry Iordanidin, ish-zëvendësshef i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnjë e Hercegovinë, me një përvojë të gjerë në Ballkan, për të drejtuar misionin e organizatës në Serbi, sipas dokumenteve të brendshme të OSBE-së të siguruara nga REL-i.

Kandidatura e tij u bë mes akuzave në rritje nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë evropiane vitet e fundit për aktivitete “të dëmshme” ruse në rajonin e mbuluar nga organizata rajonale e sigurisë me 57 shtete, me seli në Vjenë.

Iordanidi, 55 vjeç, është një nga 20 diplomatët rusë që u larguan në heshtje nga Brukseli në vitin 2023 për shkak të akuzave nga Shërbimi belg i Sigurisë Shtetërore (VSSE) se ishin spiunë që vepronin nën mbulesë, sipas një liste të përpiluar nga inteligjenca belge dhe të vërtetuar në mënyrë të pavarur nga tri burime të inteligjencës perëndimore, sipas hetimit të përbashkët të REL-it, faqes së lajmeve EUobserver me bazë në Bruksel, gazetës belge De Morgen, revistës javore belge Humo dhe gazetës franceze Le Monde.

Një burim nga institucionet e inteligjencës e quajti këtë tërheqje të spiunëve si një “rast për të zbrazur sirtarin tonë” pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë që qeveria belge nuk publikon lista të diplomatëve të akredituar në vend dhe misioni diplomatik rus në Bruksel nuk publikon emrat e personelit të tij, REL-i verifikoi në mënyrë të pavarur praninë e disa prej diplomatëve të dëbuar rusë në Belgjikë në vitin 2023.

Diplomatët rusë, të cilët nuk janë identifikuar publikisht deri më tani, ishin të lidhur në listë me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) ose drejtorinë e saj të inteligjencës ushtarake, të njohur si GRU.

Iordanidi, të cilin lista e inteligjencës belge e identifikon si të lidhur me SVR-në, është i vetmi diplomat mes 20 të dëbuarve që nuk u shpall persona non grata, sipas një burimi të inteligjencës. Burimi tha se Rusia e tërhoqi Iordanidin pasi Belgjika komunikoi se ai do të shpallej persona non grata nëse Moska nuk do ta tërhiqte atë.

Tani, Moska po përpiqet ta rikthejë Iordanidin në OSBE, organizatën shumëpalëshe me bazë në Vjenë që, deri në pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, kishte luajtur një rol qendror në monitorimin e agresionit rus në Ukrainë dhe përpjekjet për të ndërmjetësuar mes Moskës dhe Kievit.

Iordanidi u listua si një nga tetë kandidatët për kreun e misionit të OSBE-së në Serbi pas afatit të aplikimeve më 1 dhjetor 2024, sipas dokumentit të siguruar nga REL-i.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA