Pas pushimit veror, Gjykata Speciale ka rifilluar punën. Sot mbahet konferenca përgatitore për rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Për këtë proces, në shtator janë parashikuar 10 seanca dhe në tetor dy të tjera.
Avokati Skënder Musa pret që dëshmitarët të ndryshojnë rrjedhën e gjykimit:
“Këta dëshmitarë pres që të shkatërrojnë të gjitha pretendimet dhe provat e falsifikuara nga Serbia, sepse nuk mund të krahasohen diplomatët evropianë e amerikanë me dëshmitarë që kanë folur për humbje lopësh apo pasurie gjatë luftës”, tha ai për RTK, transmeton Klan Kosova.
Monitoruesi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare e ka quajtur procesin të stërzgjatur dhe të mbyllur për publikun. Sipas tij, pas dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë, nuk ka më arsye për paraburgimin e të akuzuarve.
Javën e kaluar, Apeli refuzoi kërkesën për lirim të përkohshëm të Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ndërsa prokuroria kërkoi ndalimin e vizitave familjare për Thaçin, me arsyetimin se po informohet për situatën politike në vend.
Pushimi veror i DHSK-së zgjati nga 28 korriku deri më 15 gusht.