Përgatiti: Donisa Fazliu
Me dokumente në duar, zyrtarët e zyrës së prokurorit të specializuar dolën nga shtëpia e ish-kryeshefit të AKI-së, Bashkim Smakaj.
Dokumentet që i morën gjatë aksionit të bastisjes, i cili zgjati për më shumë se 8 orë, zyrtarët i vendosën në veturat e EULEX-it.
Avokati Artan Çerkini, duke komentuar bastisjen e së hënës, tregoi se ish-kryeshefi i AKI-së nuk është evidentuar si i dyshuar në dokumente.
Ndonëse, nuk u lejuan nga zyrtarët policorë, që ta vizitojnë familjarin e tyre, xhaxhi i Smakajt nuk i mirëpriti këto aksione.
“Ne nuk e kemi ditë për këtë bastisje. Për këtë bastisje e kemi marrë vesh nga mediat dhe nuk e kemi pritë. Këto bastisje nuk janë të mira, janë akuza të pavërteta dhe nuk ka asgjë”, tha Hetem Smakaj, xhaxhai i Bashkim Smakajt.
Ndërkaq, ky aksion i bastisjeve nuk përfundoi me kaq.
Cak i zyrtarëve të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë ishte edhe shtëpia e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Blerim Shala, të cilit i është konfiskuar vetëm telefoni.
Sipas Artan Behramit, bastisjet si këto të ditës së hënë po bëhen me qëllim ta rrënojnë shtetin e Kosovës.
“Bastisja në shtëpinë e Bashkim Smakajt dhe konfiskimi i telefonit të Blerim Shalës është e paprecedentë, e papranueshme dhe turp për Gjykatën Speciale, e cila po dëshmon që me aksione të tilla po mundohet ta fshehë paaftësinë e saj për të dëshmuar fajësinë e krerëve të UÇK-së në Hagë dhe përmes aksioneve të tilla po mundohet ta mbulojë atë që nuk mbulohet dhe që kjo Gjykatë e ka për qëllim rrënimin e shtetit të Kosovës, rrënimin e institucioneve të Kosovës mbi të cilat Kosova është ndërtuar”, tha Behrami.
Për aksionet ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut. Sipas tij, Dhomat e Specializuara të Hagës po shkaktojnë dhunë psikologjike nëpërmjet bastisjeve të paparalajmëruara në Kosovë.
Në anën tjetër, përveç se operacionet po kryhen në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk dha detaje të tjera për ATV-në, lidhur me aksionin e këtyre bastisjeve.
Kjo nuk është hera e parë që Zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë bërë bastisje. Ata kanë bërë bastisje edhe në banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, në atë të ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, si dhe është kryer bastisje në shtëpinë e ish-luftëtarit Behar Berisha.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: