​Sorensen pas takimit me Kurtin e Bislimin: Është një fillim i mirë

“Fillim i mirë”, tha përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, pasi zhvilloi takime me krerët e shtetit.

Ai, në vizitën e tij të parë në Kosovë, tha se objektivi kryesor është që të ecë përpara ky proces, mirëpo paraprakisht tha se do të zhvillojë biseda me palët dhe të bëjë një vlerësim se ku ndodhet dialogu.

Sorensen, pas takimit të hënën me kryeministrin Albin Kurti dhe kryenegociatorin kosovar për dialogun, Besnik Bislimi, tha para gazetarëve se bisedat ishin të mira dhe se është interes i tij të kuptojë qëndrimet e secilit.

“Ishte një takim hyrës dhe po bisedonim se si mund të vazhdojë dhe të ecë përpara ky proces. Si i tillë, është një fillim i mirë. Po, objektivi është, sigurisht, që procesi të vazhdojë dhe të ecë përpara. Tani për tani, objektivi im është të flas me njerëzit dhe të kuptoj se ku qëndrojnë ata në lidhje me këtë çështje. Kam bashkëbisedues këtu në Prishtinë, por gjithashtu duhet të shkoj edhe në Beograd. Dhe pasi t’i kem zhvilluar këto biseda, mund të ulem dhe të vlerësoj se ku ndodhemi. Por është shumë e qartë që procesi i dialogut ka sjellë disa zhvillime të rëndësishme dhe ne duhet të ndërtojmë mbi to”, tha ai.

I pyetur se a nevojitet kompromis në dialog, ai tha se këtë e përcaktojnë palët.

“Dialogu ka të bëjë me sigurimin që palët të takohen. Nëse kjo do të thotë kompromis apo jo, këtë e përcaktojnë palët. Por dialogu, ky është qëllimi i tij. Dhe kjo është ajo që kemi bërë që nga viti 2011”, shtoi Sorensen.

I pyetur se a do të ketë një fillim të ri në dialog, ai tha se ai do të punojë sipas mënyrës së tij.

“Jo, ajo që tha është se ajo është e re, unë jam i ri. Dhe për këtë arsye, si ndërmjetësues, po punoj në mënyrën time, kështu që kjo është situata”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, ai tha se vizita e tij në Kosovë nuk përkon me asnjë simbolikë, mirëpo është përcaktuar nga kalendari i tij dhe institucioneve në Kosovë.

Ndërkaq, i pyetur për mbylljen e komunave paralele serbe në Kosovë, Sorensen tha se duhet siguruar që “njerëzit në Kosovë të marrin shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Koha e mbërritjes këtu është përcaktuar nga kalendari. Është kur njerëzit janë të disponueshëm, ata me të cilët kam nevojë të takohem, janë këtu. Unë sapo kam filluar, erdha sa më shpejt që munda. Kjo është përgjigja për pyetjen tuaj të parë. Sa i përket pyetjes së dytë mbi institucionet, ne duhet të punojmë dhe të sigurohemi që njerëzit të marrin shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe kjo është ajo që do të përpiqemi të bëjmë”, tha Sorensen.

Sorensen gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Diplomati danez do të qëndrojë deri më 19 mars në Kosovë, ku nesër pritet të takojë liderët e partive politike dhe shoqërinë civile.

Më pas ai do të shkojë për vizitë në Serbi.

Sorensen ka marrë detyrën në shkurt të vitit 2025, duke pasuar ish emisarin e BE-së për dialog, Mirosalv Lajçak./KosovaPress.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA