Përgatiti: Arian Hajdaraj
Të paktën në 2 javët e fundit, asnjë nga tualetet, korridoret e as zyrat brenda afro 30 objekteve të kazermës Adem Jashari, nuk janë pastruar nga punëtorët e kompanisë për mirëmbajtje, sipas burimeve të ATV-së.
Më 16 mars, ka skaduar kontrata mes ministrisë së mbrojtjes dhe konzorciumit të kompanive E-Commerce -Kosova CAPITAL X FET, e cila ishte nënshkruar pikërisht më 16 shtator të vitit 2024, në kohëzgjatje prej 6 muajsh.
Vlera e parashikuar e kontratës kornizë ishte 100 mijë euro.
Në këtë rast, autoriteti kontraktues – Ministria e Mbrojtjes, kishte funksionuar me procedurën e negociuar, ku kishin tenderuar 2 operatorë ekonomikë. Njëra nga to kishte ofertuar me 199 mijë euro, ndërsa tjetra me 112 mijë, e cila si ofertë më e ulët u zgjodh fituese.
Tek përshkrimi në platformën e komisionit rregullativ të prokurimit publik, kontrata e dhënë aso kohe, specifikohet se ishte kontratë emergjente, pa publikimin e njoftimit për kontratë.
ATV kupton se në mungesë të punëtorëve të mirëmbajtjes, njësia e “mjekësisë” e ka pastruar vet objektin në të cilin funksionojnë.
E Ministria e Mbrojtjes, nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në lidhur me këtë çështje.