​S’ka më dëshmitarë të prokurorisë, a duhet të lirohen nga paraburgimi ish-eprorët e UÇK-së?

Ndikimi në dëshmitarë ishte një prej arsyeve kryesore sipas prokurorisë në Hagë pse ish-eprorët e UÇK-së duhet të mbahen në paraburgim. Intervistimi i dëshmitarëve ka përfunduar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka mbyllur çështjen e saj. Megjithkëtë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit iu është vazhduar paraburgimi.

Avokatë e monitorues të këtij procesi gjyqësor vlerësojnë se duhet të ketë zbutje të masës së sigurisë.

Sipas tyre, tashmë janë krijuar kushtet ligjore që masa e paraburgimit të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër të sigurisë, siç është e ajo e arrestit shtëpiak apo ndalimi për t’iu afruar personave të caktuar.

“Mendoj se tash plotësohen të gjitha kushtet ligjore për zëvendësimin e masës së sigurisë nga paraburgimi në një masë më të lehtë mund të jetë arrest shtëpiak, masat e paraqitjes në stacion policor, masa e ndalimit për t’iu afruar personave të caktuar. Masa këto të cilat janë më të buta sesa masa e paraburgimit. Për aplikimin e tyre tashmë janë plotësuar kushtet ligjore, ngase e vetmja arsye e cila i ka shërbyer trupit gjykues ta vazhdojë paraburgimin ka qenë rreziku i ndikimit në dëshmitarë. Duke pas parasysh që Prokuroria ka përfunduar rastin e saj se më nuk ka dëshmitarë të prokurorisë mendoj se janë ndryshuar rrethanat, dhe çdo ndryshim i rrethanave duhet të përcillet me zbutjen e masës së sigurisë në këtë rast po i bie që masa e paraburgimit duhet të zëvendësohet me ndonjë masë më të butë e cila është në funksion të arritjes së qëllimeve procedurale”, thotë avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini.

Qerkini thotë se nëse trupi gjykues në procesin gjyqësor i zbaton drejtë qëndrimet e Gjykatës Evropiane atëherë masa e paraburgimit duhet të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër.

“Mendoj se nëse trupi gjykues i zbaton drejtë qëndrimet e Gjykatës Evropiane sipas të cilave gjithmonë masa më e rreptë sigurese duhet të zëvendësohet me një masë më të butë kur ndryshojnë rrethanat. Pra, nëse këto standarde i zbatojnë atëherë nuk do mend se masa e sigurisë duhet të zëvendësohet”, thotë ai.

Edhe monitoruesi i procesit gjyqësor në Hagë, Amer Alija konsideron se tashmë janë shuar të gjitha arsyet që t’iu vazhdohet masa e paraburgimit “sidomos Veselit, Krasniqit dhe Selimit”.

“Pas përfundimit të 15 prillit sigurisht që jemi në një situatë tjetër të shqyrtimit kryesor sigurisht që më prokuroria nuk do ta ketë si opsion që në kërkesat për vazhdimin e paraburgimit ta përdorë që të dyshuarit që në rast se lihen në liri apo u zbutet masa e sigurisë mund të ndikojnë tek provat apo dëshmitarët, për arsye se tani më pas përfundimit të këtij afati më nuk do të ketë këtë arsyetim për vazhdimin e masës. Këtë moment do ta shfrytëzojnë edhe avokatët mbrojtës dhe do të kërkojnë që masa e sigurisë të zbutet për të paraburgosurit për arsye se tani e katër vite gjenden nën masës e sigurisë. Në të kaluarën gjithmonë të akuzuarit për krimet e luftës apo ish-pjesëtarët e UÇK-së sa herë janë kërkuar nga organet e ndjekjes gjithmonë janë përgjigjur pozitivisht ftesave“, theksoi ai.

Në fund të vitit të kaluar u ngrit edhe një tjetër aktakuzë ndaj ish-presidentit Thaçi, nën dyshimin se pati përpjekje për ndikim në dëshmitarë.

Alija konsideron se akuza e re e cila rëndon mbi ish-presidentin, Hashim Thaçi e rëndon situatën e tij për tu zëvendësuar masa e sigurisë, nga ajo e paraburgimit në ndonjë tjetër më të lehtë.

“Ndoshta në krahasim me të akuzuarit e tjerë, Thaçi mund ta ketë pak situatën më të rënduar për shkak të një rasti të ri i cili pritet të fillojë kundër tij. Besoj që tre të akuzuarit tjerë kanë rrethanat pak më të lehta sa i përket këtij propozimi për zbutjen e masave, por realisht trupi gjykues do t’i vlerësojë të gjitha argumentet e palëve në procedurë qoftë të prokurorisë, mbrojtjes, dhe në fund sigurisht është i vetmi trupi gjykues i cili do të marrë vendimin lidhur me masat e sigurisë qoftë masat më të buta”, thotë ai.

Ish-eprorët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës prej nëntorit të vitit 2020. Prokuroria i akuzon ata për krime të pretenduara të luftës, për çka secili prej tyre është deklaruar i pafajshëm në fillim të procesit gjyqësor në prill 2023.

Avokati kryesor i Thaçit, Luka Misetiq tha më 2 prill se ish-eprorët e UÇK-së janë mbajtur në paraburgim për një kohë “jashtëzakonisht të gjatë”.

“Katër vjet e gjysmë të cilat nuk mund t’i kthejnë kurrë mbrapa”, tha ai.

Ndërkaq, mbrojtja e Rexhep Selimi, Geoffrey Roberts kujtoi se gjykata të tjera kanë liruar individë përkohësisht – në faza të caktuara të procedurave gjyqësore.

“Kjo është një nga ato faza kur mund të paraqitet një kërkesë”, tha ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi të mërkurën se ka përmbyllur paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Në njoftimin zyrtar të mërkurën më 16 prill, ZPS-ja tha se thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë.

Shumë prej tyre dëshmuan nën masa mbrojtëse dhe pa iu bërë publik identiteti.

ZPS-ja i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me akuza për krime të pretenduara të luftës dhe kundër njerëzimit.

Thaçi, Veseli, Kransiqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Prokurorisë në Hagë iu deshën dy vjet nga fillimi i procesit gjyqësor që të mbyll çështjen e saj gjyqësore. Pas kësaj do të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes, e caktuar për datën 23 prill.

Deri më tash dihet se mbrojtësi i viktimave do të thërras disa dëshmitarë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Prokuroria tha se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Ndërkaq, avokatët mbrojtës hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Avokatët e ish-eprorëve të UÇK-së janë shprehur optimistë se në fund do të ketë rezultat pozitiv.

Katër ekipet mbrojtëse do të kërkojnë rrëzimin e pjesëve të caktuara të aktakuzës, ku përfshihen pretendime për krime lufte në Kosovë./KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA