Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar rreth kushteve të punës në Minierën me Flotacion të Trepçës.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook ata kërkojnë që vëmendja e qeverisë të kthehet nga minierat me plane konkrete.
Po ashtu në reagim thuhet se kushtet aktuale janë të rënda, të rrezikshme dhe të papranueshme.
“Pajisjet e vjetruara janë ndër shkaqet kryesore. Ato nuk plotësojnë standardet më elementare të sigurisë. Çdo herë që përdoren, rreziku për lëndim është pranë. Kjo gjendje është pasojë e mungesës së investimeve për shumë vite me radhë. Ne detyrohemi të sakrifikojmë, të punojmë me makineri të lodhura e me kushte të rrezikshme, vetëm që të sigurojmë të hyrat minimale për pagat tona”, thuhet në reagim.
Më poshtë e keni reagimin e plotë të Sindikatës:
Situata në minierë ka arritur në një pikë ku nuk mund të heshtet më. Përveç rrezikut të përditshëm që sjell profesioni ynë, ne po punojmë në kushte që nuk i plotësojnë as kërkesat minimale të sigurisë. Trajnimet e domosdoshme për sigurinë dhe shëndetin në punë mungojnë, edhe pse me ligj duhet të mbahen rregullisht për çdo punëtor”.
Çdo ditë jemi dëshmitarë të lëndimeve të rënda e të lehta brenda minierës. Shumë kolegë tanë kanë mbetur me pasoja të përhershme në shëndet, e shumë të tjerë me lëndime që nuk shihen nga askush përveç regjistrave të brendshëm. Ky numër është alarmues dhe nuk mund të trajtohet më si statistikë e ftohtë. Kjo është jeta e minatorëve që rrezikojnë për të mbajtur minierën gjallë.
Pajisjet e vjetruara janë ndër shkaqet kryesore. Ato nuk plotësojnë standardet më elementare të sigurisë. Çdo herë që përdoren, rreziku për lëndim është pranë. Kjo gjendje është pasojë e mungesës së investimeve për shumë vite me radhë. Ne detyrohemi të sakrifikojmë, të punojmë me makineri të lodhura e me kushte të rrezikshme, vetëm që të sigurojmë të hyrat minimale për pagat tona.
Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu. Investimet në Trepçë nuk janë dëshirë, janë domosdoshmëri.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë së re, kujtdo që do të marrë përgjegjësinë pas zgjedhjeve, të kthejë vëmendjen kah minierat. Duhet një plan i qartë, serioz dhe afatgjatë për sektorin minerar, me investime të drejtpërdrejta në Trepçë, sepse pa minatorët nuk ka prodhim, e pa prodhim nuk ka Trepçë.
Po ashtu, kërkojmë nga menaxhmenti që menjëherë të nisë trajnimet e sigurisë dhe të ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse pa asnjë vonesë.
Kushtet aktuale janë të rënda, të rrezikshme dhe të papranueshme. Minatorët nuk mund të presin më.







