Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha tha se siguria e fëmijëve do të jetë prioritet kryesor i tij, duke u zotuar për zgjidhje të menjëhershme dhe reale ndaj problemeve të përditshme të qytetarëve.
Ai tha se nuk do të premtojë gjëra të parealizueshme, por do të jetë i përkushtuar për një qytet më të sigurt dhe më të jetueshëm për të gjithë.
Në Fushë Kosovë, kandidatja Vildane Latifi premtoi mbështetje të drejtpërdrejtë për bizneset prodhuese. Ajo u zotua se komuna do të jetë partnere aktive në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen e kapaciteteve të sektorit privat.
Faton Jakupi, kandidat në Kamenicë, gjatë vizitës në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së premtoi se do të angazhohet në ruajtjen e vlerave të luftës dhe mbështetjen për organizatat që përfaqësojnë veteranët.
Në Rahovec, Smajl Latifi, i cili kandidon për një mandat të ri, premtoi mbështetje të plotë për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke theksuar se komuna do të jetë gjithmonë pranë bujkut dhe qytetarit.
Në Pejë, kandidati Ali Berisha premtoi rikthimin e transportit publik ndërurban duke e cilësuar këtë si zotim të realizueshëm në mandatin e tij.
Zenun Elezaj, që kërkon një mandat të ri në Klinë, prezantoi investimet e bëra në Kompleksin Memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë. Ai u zotua se kujdesi për familjet e dëshmorëve dhe ruajtja e amanetit të tyre do të jenë prioritet edhe në të ardhmen.
Në Deçan, Bashkim Ramosaj, kryetar aktual dhe kandidat për një mandat të ri, vlerësoi bashkëpunimin me Këshillin e Bashkësisë Islame, duke shprehur mirënjohje për përkushtimin e tyre ndaj komunitetit dhe promovimin e vlerave fetare.


                                    
    




