Përgatiti: Benita Zeneli
As pagën e muajit janar ashtu sikurse pagat e 3 muajve paraprak shumë punëtorë nuk e morën aq sa parasheh paga minimale e miratuar nga qeveria, 350 euro.
Për këtë ministri i Financave, Hekuran Murati pati thënë se punëtorët duhet të paraqesin ankesë në Inspektoratin e Punës apo Administratën Tatimore të Kosovës që më pas të merren masa.
Kështu edhe kanë vepruar përfaqësuesit e këtyre punëtorëve.
Megjithatë sipas kryetarit të Sindikatës të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Të gjitha kompanitë që financohen nga shteti nuk po e respektojnë sepse kur qeveria e ka marr këtë vendim është dashur të mendojnë që në kontrata e kanë të caktuar që nëse ka ndryshim në paga duhet MF me finance”, tha Azemi.
Ndërkohë në një përgjigje për ATV-në, të pyetur se nëse janë ndërmarr masa Inspektorati Qendror i Punës tregoi vetëm punën e rutinë, pa detajet e kërkuara.
“Inspektorati Qendror i Punës në vazhdimësi gjatë inspektimeve të rregullta dhe sipas ankesës së palëve bënë inspektime duke mbikëqyrur zbatimin e vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me pagën minimale, dhe në rastet kur konstatohet subjektet ekonomike nuk respektojnë vendimin për pagën minimale, IQP ndërmerr masa të parapara ligjore”, thuhet në përgjigjen nga Inspektorati Qendror i Punës.
Rreth moszbatimit të vendimit të pagës minimale ATV ka kërkuar përgjigje edhe nga Administrata Tatimore.
“Ka pasur ankesat të tilla por sipas opinionit të pranuar i kemi referuar t’i drejtohen fillimisht inspektoratit te punës. Çdo punëdhënës duhet respektojnë ligjin e punës përfshirë pagën minimale”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.
Ndërkohë Kosova ende vazhdon të jetë një ndër vendet me pagën më të ulët në Evropë dhe rajon.