Përgatiti: Ardiana Jashari
Tashmë një kohë të gjatë kjo shtyllë qëndron kështu.
E nëse rrëzohet, rrezikon fëmijët dhe punëtorët e çerdhes “Armela” në fshatin Lluzhan të Podujevës.
Lidhur me këtë çështje ATV ka kontaktuar edhe me Komunën e Podujevës dhe KEDS-in.
Nga komuna thanë se përgjegjësit e çerdhes kanë kërkuar nga KEDS-i largimin e shtyllës.
“Përgjegjësja e çerdhes në Lluzhan ka dorëzuar kërkesë tek KEDS-i për largimin e shtyllës e cila është duke rrezikuar kalimtarët e rastit, megjithatë ende nuk është larguar ajo shtyllë. Ne do të kontaktojmë përsëri më KEDS-in që sa më parë të largohet ajo shtyllë”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
Ndërkaq KEDS-i tha se është në dijeni për problemin.
“KEDS tashmë është në dijeni për gjendjen e shtyllës në fshatin në fjalë. Si i tillë, KEDS u jep prioritet rasteve që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve për çka do të dërgoj një ekip për të verifikuar gjendjen e kësaj shtylle”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.
Sipas KEDS-it ekipi do të dal shumë shpejt në terren dhe sipas nevojës do të largojë shtyllën.