Përgatiti: Arton Hamiti
Që nga fillimi i muajit korrik, për një litër naftë kosovarët kanë paguar mesatarisht 20 deri në 30 centë më shumë se çmimi i importit, përfshirë taksat.
Në muajin gusht, sipas të dhënave të Doganës, çmimi mesatar i importit për një litër naftë, pa taksa ishte, 73 centë, ndërsa me taksa 1 euro e 28 centë.
Ndërkaq, në pikat e shitjes një litër naftë, tash e disa javë, shitet deri në 1 euro e 49 centë.
Në muajin korrik, çmimi mesatar i importit për një litër naftë ishte më pak se 1 euro e 16 centë – derisa qytetarëve u shitej deri në 1 euro e 43 centë.
Pavarësisht faktit se vendimi i Qeverisë për çmimin tavan parasheh që naftëtarët të fitojnë 12 centë për 1 litër naftë, me çmimin aktual ata fitojnë rreth 20 centë.
Ndonëse pranoi se ka kompani që nuk e respektojnë çmimin tavan, ministri i Financave, Herkuan Murati nuk tregoi për masat qe do të ndërmerren.
“Pra mund te flitet për një marzhë të caktuar ka disa kompani të cilat nuk e kanë respektuar dhe janë në procedura te mëtejme dhe MINT-i do te marrë masat e duhura” , tha Murati.
Pavarësisht konstatimit të ministrit dhe gjendjes në terren, nga Shoqata e Naftëtarëve thanë se vendimi po respektohet.
“Sa i përket vendimit të ministrisë vendimi në bazë informatave është duke u respektuar. 12 centë marzha e fitimi për pikat e karburantit me pakicë dhe 2 centë marzha e fitimit për import”, thotë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve.
Sipas kryetarit të Shoqatës se Naftëtarëve, kosovarët po shërbehen me çmimet më të volitshme në rajon.
Kronikën e plotë e gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: