Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, në emisionin A PLAY në ATV, tha se Shqipëria është e lirë të marrë lojtarë nga të dojë, por jo ata që tashmë janë ftuar nga Kosova.
“Shqipëria mund të marrë lojtarë kudo që dëshiron, por jo ata që i kemi ftuar ne. Ne po i rrisim dhe po i zhvillojmë këta lojtarë, ndaj nuk është e drejtë që ata të largohen pasi kemi investuar në ta”, tha Ademi.
Sipas Ademit, disa lojtarë zgjedhin të largohen për arsye personale, por ai thotë se ata nuk duhet ta përziejnë patriotizmin në këtë vendim.
“Kur shkon për çështje personale, mos e përziej patriotizmin. Thuaj që ke pasur një interes personal dhe prandaj ke zgjedhur të largohesh. Ne nuk kemi asnjë problem që Shqipëria të marrë lojtarë, por jo ata që i kemi ftuar ne dhe kemi investuar në ta”, tha Ademi.
Ai tha se fanella e Kosovës ka një histori dhe peshë të madhe, ndaj ajo duhet të vishet vetëm nga ata që e ndiejnë me zemër.
“Fanella e Kosovës peshon shumë. Çdo vijë, çdo peqe që ka, tregon një ngjarje historike të vendit tonë. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë lojtarë që e ndiejnë Kosovën dhe nuk largohen sapo iu jepet një mundësi tjetër”, u shpreh Ademi.
Deklaratën e plotë të Agim Ademit në A PLAY, e gjeni në videon më poshtë: