Tifozët e Juventusit kanë shpërthyer në rrjetet sociale pas anulimit të golit të Jonathan David në minutën e 34-të të sfidës së Kupës së Italisë kundër Udineses.
Asistenti i gjyqtarit Fourneau sinjalizoi pozicion jashtë loje, vendim që u konfirmua më pas nga VAR-i dhe teknologjia gjysmë-automatike SAOT. Megjithatë, kuadri i shfaqur në transmetim ka hapur shumë pikëpyetje, pasi në pamje duket Bertola në qendër të zonës së penalltisë — e jo Palma, lojtari që sipas tifozëve të Juventusit mbante në linjë Davidin.
Goli u anulua për pozicion jashtë loje, duke shkaktuar polemika të forta për mënyrën se si u paraqit situata në TV.
Sipas Mediaset, Lega Calcio ka siguruar foton zyrtare të momentit të pasimit të Yildiz drejt David, i cili më pas realizoi me një goditje të saktë drejt shtyllës së afërt. Analiza zyrtare tregon se sulmuesi kanadez ishte disa milimetra përpara Bertolës, duke rezultuar në off – side.
Megjithatë, shumë tifozë pyesin pse pozicioni i Palmës nuk u përfshi në analizë. 17-vjeçari, që po kthehej drejt vijës mbrojtëse, në pamjet televizive duket se është në një vijë të ngjashme — madje edhe pak më poshtë — se David. Për ta, mospërfshirja e tij në skanim e bën vendimin konfuz dhe të debatueshëm.
Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të ashpra, me tifozët bardhezinj që cilësojnë vendimin të padrejtë, duke e krahasuar episodin me rastin e vitit 2022 në ndeshjen Juventus–Salernitana, kur VAR-i shpërfilli pozicionin e Candrevas dhe anuloi gabimisht golin e Milik.
Episodi i fundit ka hapur sërish debatin e vjetër mbi transparencën dhe besueshmërinë e teknologjisë në futboll. Ndërsa Lega Calcio mbron saktësinë e vendimit, kërkesat e tifozëve për qartësi dhe publikim të plotë të pamjeve mbeten të forta. Situata pritet të diskutohet gjerësisht në ditët në vijim, duke shtuar edhe një kapitull tjetër në polemikat e pafundme rreth VAR-it në Itali./ATVLIVE.TV







