Përgatiti: Driton Sadiku
Në një vizitë zyrtare në Prishtinë, ministrja e Jashtme e Finlandës njëherit kryesuese e OSBE-së, Elina Valtonen, foli rreth rëndësisë së tejkalimit të krizës institucionale në Kosovë.
Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Valtonen thotë se pret funksionalizimin e punës në institucione në përputhje me Kushtetutën.
“Shënuam një arritje shumë të rëndësishme 25 vjet angazhim të OSBE-së në Kosovë. Mirëpres zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës dhe shpresoj që procesi të veprojë në bazë të Kushtetutës. Shpresojmë fuqimisht që shumë shpejt do të ketë një zgjidhje për ngërçin që lidhet me Kuvendin dhe Qeverinë”, tha Valtonen.
Përveç zhvillimeve politike, Valtonen theksoi edhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.
“Forcimi i marrëdhënieve ndër-komunitare mbetet i rëndësishëm dhe ka qenë prej kohësh një fushë kyçe e angazhimit për misionin e OSBE-së në Kosovë. Me emërimin e një Përfaqësuesi të ri Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, riafirmimi i angazhimit për dialogun dhe avancimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese është thelbësor për të siguruar progres. OSBE-ja mbetet e gatshme të mbështesë këto përpjekje, pasi misioni këtu ka potencial për kontribute të mëtejshme në përputhje me mandatet e tij”, tha Valtonen.
Në konferencë nuk u deklarua por sipas njoftimit të Presidencës, Osmani në takim me Valtonen shprehi gatishmëri për bashkëpunim në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut.
E, Kryesuesja e OSBE-së, gjithashtu u takua me përfaqësuese të shoqërisë civile dhe pjesëtare të akademisë për gratë e reja, një rrjet i mbështetur nga OSBE që promovon paqen dhe përfshirjen.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: