Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se vendi nuk ka marrë asnjë sinjal nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) dhe se rafineria do të mbyllet të shtunën ose të dielën.
Serbia ka kërkuar nga Departamenti i Thesarit i ShBA-ve një licencë që lejon NIS-in të operojë edhe pse është nën sanksione për shkak të pronësisë së saj ruse.
Mirëpo, deri më tani ShBA-të nuk kanë kthyer përgjigje.
“Të shtunën ose të dielën, pastaj rafineria ndoshta do të duhet të mbyllet. Nuk kemi marrë asnjë sinjal nga SHBA-të se do të marrim një licencë për të rifilluar prodhimin e derivateve të naftës. Por çfarë duhet të bëjmë”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një fjalim të përbashkët me kryeministrin hungarez Viktor Orban.
Siç shton Vuçiqi, sipas njohurive të Beogradit, Departamenti i Thesarit i ShBA-ve do të merrte një vendim pozitiv për dhënien e licencës, por ky vendim nuk ka ardhur.
“Ende nuk ka një vendim të tillë. Kjo na vë në një pozicion të vështirë. Jemi të përgatitur. Qytetarët nuk kanë pse të shqetësohen për ngrohjen, energjinë elektrike apo pompat. Ne thamë se do të na jepnin kohë për t’i dhënë pronarit të vërtetë [rusëve, v.j] kohë për të shitur pronën e tij, dhe ju keni garancitë tona se gjithçka do të jetë ashtu siç kërkuat. Nëse kjo nuk është e mjaftueshme për ju, atëherë kam frikë se pas gjithë kësaj fshihen disa gjëra të tjera”, tha Vuçiqi.
ShBA-ja vendosi sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë më 1 tetor të këtij viti për shkak të pronësisë ruse të kompanisë. Kompanitë ruse Gazprom Neft dhe Gazprom zotërojnë mbi 50 për qind të aksioneve të NIS-it.






