Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët e të mbështetura nga ShBA-ja dhe të cilat kontrollojnë një pjesë të madhe të verilindjes së pasur me naftë të Sirisë, nënshkruan një marrëveshje me Qeverinë e Sirisë të hënën për t’iu bashkuar institucioneve të reja shtetërore, tha të hënën presidenca siriane.
Në disa fotografi shihen presidenti Ahmed al-Sharaa dhe komandanti i Forcave Demokratike Siriane, Mazloum Abdi, duke i shtrënguar duart në Damask. Me këtë marrëveshje u ofrohet integrim në shtet institucioneve civile e ushtarake të kontrolluara nga Forcat Demokratike Siriane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Pakti erdhi në një moment kritik, kur al-Sharaa po ballafaqohet me pasojat e vrasjes së anëtarëve të pakicës Alawite në pjesën perëndimore të Sirisë, dhunë e cila, sipas presidentit, e rrezikon përpjekjen e tij për ta bashkuar Sirinë pas 14 viteve konflikt.
Në marrëveshjen e nënshkruar të hënën bëhet thirrje që pikëkalimet kufitare të kontrolluara nga SDF-ja si dhe që një aeroport e fushat e gazit dhe të naftës në lindje të Sirisë të bëhet pjesë e administratës qendrore në Damask.
Në komentin e tij të parë zyrtar pas nënshkrimit të marrëveshjes, Abdi tha në një shkrim në rrjetin X se pakti paraqet “një mundësi reale për të ndërtuar një Siri të re”.
Sipas tij, Forcat Demokratike Siriane janë duke punuar me administratën siriane në “një periudhë të tillë kritike” për të garantuar një fazë tranzicioni që i pasqyron aspiratat e popullit sirian për drejtësi dhe stabilitet.
Zbatimi pritet në fund të vitit, por marrëveshja nuk saktëson se si operacioni ushtarak i SDF-së do të integrohet në Ministrinë e Mbrojtjes të Sirisë.
Në marrëveshje gjithashtu jepet zotimi i Forcave Demokratike Siriane për t’i luftuar mbetjet e regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad. Autoritetet siriane në Damask i kanë akuzuar besnikët e Assadit për mbjellje të konfliktit civil në pjesën perëndimore të vendit./Nacionale