Skandali i “Princit të rënë” Andrew, për abuzime seksuale, lajm i cili qarkullon prej vitesh, nuk tregon asnjë shenjë se po shuhet, teksa akuza të reja shqetësuese, po e rikthejnë edhe një herë në qendër të vëmendjes dhe po ndezin një furtunë të re mediatike në mbarë botën.
Dikur një nga figurat më të njohura të familjes mbretërore britanike, Andrew Mountbatten-Windsor gjendet sërish në zemër të një stuhie publike, pasi edhe një grua, e dyta me radhë, ka aluduar se ishte dërguar nga predatori seksual i dënuar Jeffrey Epstein, për një takim seksual me Princin Andrew në rezidencën e tij luksoze Royal Lodge në vitin 2010, kur ajo ishte vetëm 17 vjeçare, madje duke pohuar se më pas ishte shoqëruar edhe në një vizitë në Pallatin Buckingham, sipas avokatit të saj.
Akuza tronditëse vjen në kuadër të publikimit të miliona faqeve dokumentesh të lidhura me çështjen Epstein, përfshirë email-e, dëshmi, fotografi dhe materiale të tjera që sugjerojnë se Andrew ka mbajtur kontakte me Epstein shumë kohë pasi ai kishte deklaruar publikisht se i kishte ndërprerë marrëdhëniet me të. Zbulimet kanë rritur presionin publik dhe politik, me thirrje të forta që Andrew të dëshmojë përpara autoriteteve amerikane dhe të bashkëpunojë me hetimet nëse pretendon se dëshiron drejtësi për viktimat.
Skandali, i cili e ka ndjekur prej vitesh, i kushtoi atij titujt mbretërorë dhe privilegjet zyrtare pas zemërimit të madh publik. Sot, Andrew jeton larg vëmendjes, i zhveshur nga statusi dhe roli mbretëror që dikur i garantonte ndikim dhe prestigj të jashtëzakonshëm brenda aristokracisë britanike.
Edhe pse ai i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat, mohimet e tij po humbasin peshë në sytë e opinionit publik, ndërsa materiale gjithnjë e më shqetësuese vazhdojnë të dalin në dritë. Me presionin që rritet si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, epoka e ish-Princit Andrew duket larg përfundimit, duke shënuar për shumëkënd një rënie dramatike nga privilegji mbretëror në një ekspozim të pamëshirshëm global.







