Samsung ka rritur çmimet e çipave DDR5, me disa modele që kanë pësuar rritje deri në 60%, teksa mungesa globale e memorieve po thellohet nga kërkesa e lartë e industrisë së inteligjencës artificiale.
Kompania ka vonuar publikimin e çmimeve për kontratat e tetorit, një sinjal i qartë se furnizimi është nën presion të madh.
Moduli 32GB DDR5 ka kaluar nga 149 dollarë në 239 dollarë, ndërsa rritje të ngjashme janë regjistruar edhe për modelet 16GB, 64GB dhe 128GB.
Distributorët thonë se prodhuesit e serverëve dhe qendrave të të dhënave po paguajnë çmime “ekstreme” për të siguruar sasitë e nevojshme.
Kjo situatë pritet të ndikojë edhe në industrinë e smartfonëve dhe kompjuterëve, duke rritur kostot e prodhimit për kompanitë teknologjike në mbarë botën.
Në të njëjtën kohë, Samsung ka bërë të ditur se do të ndërtojë një linjë të re prodhimi çipash në Korenë e Jugut, në përpjekje për të përmbushur kërkesën në rritje të tregut të AI-së.







