Të dielën ka përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Gara në elitën e hendbollisteve ishte interesante, ndërsa është shquar skuadra e Samadrexhës.
Samadrexhaset i kanë fituar të gjitha tetë ndeshjet dhe dimërojnë në krye të tabelës me 16 pikë. Kampioni në fuqi, Istogu, është i dyti me 14 pikë. Pason Shqiponja e Gjakovës me 12, Ferizaj me dhjetë, Tereza me tetë, e Prishtina me gjashtë. Në tri pozitat e fundit me nga dy pikë janë Besa, Ulpiana e Kastrioti.
Samadrexha në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën fitoi 42:22 ndaj Besës së Pejës. Pasuan fitoret 38:25 ndaj Ulpianës dhe 27:26 ndaj Shqiponjës. Me Kastriotin, skuadra nga fshati Samadrexhë i Vushtrrisë fitoi bindshëm, 46:19.
Fitorja kryesore e stinorit vjeshtor, pos asaj me Shqiponjën, ishte ndaj Istogut, 30:20, në xhiron e gjashtë. Pasuan fitoret 40:27 me Terezën, 24:19 me Ferizajn dhe 37:27 ndaj Prishtinës. /ATVLIVE.TV







