Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, zhvilloi një takim në Bruksel me Këshilltarin Federal zviceran Martin Pfister nga Departamenti Federal për Mbrojtjen, Mbrojtjen e Popullsisë dhe Sportin (VBS/DDPS).
“Ishte mirë të takoja Këshilltarin Federal Martin Pfister dhe ta falënderoja për kontributin e Zvicrës në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë. Diskutuam gjithashtu mënyrat për të thelluar bashkëpunimin tonë me Zvicrën”, shkroi Rutte në X.
Që nga tetori i vitit 1999, Forcat e Armatosura Zvicerane kontribuojnë në misionin ndërkombëtar paqeruajtës të NATO-s, Kosovo Force (KFOR), përmes Kompanisë Zvicerane dhe kontingjenteve Swisscoy. Aktualisht, numri maksimal i personelit zviceran në mision është 215, ndërsa mandati aktual parashikohet të zgjasë deri në fund të vitit 2026.







