Përgatiti: Arian Hajdaraj
Para disa minutave, James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Departamentit të Shtetit në SHBA, përfundoi dëshminë e tij në Gjykatën Speciale.
Në ditën e dytë, Rubin u mor në pyetje vetëm nga Prokuroria, për afro katër orë.
Prokurorit i kishte mbetur në mendje deklarimi i Rubinit për vendosjen në krah të shqiptarëve, të cilët ishin viktima. Për këtë arsye, sot i parashtroi pyetje
shtesë, të cilave dëshmitari iu përgjigj shpejt.
“Fillimisht e përshkruam UÇK-në si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste. Ky qëndrim më pas ndryshoi me kalimin e kohës, veçanërisht pasi UÇK u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë. Atëherë e konsideruam se ata ishin në anën e engjëjve, sepse nënshkruan marrëveshjen e paqes”, tha Rubin.
Më tej, Prokurorit i interesoi të kuptonte qëndrimin e Rubinit lidhur me vetë Prokurorinë Speciale, pasi ai kishte refuzuar të intervistohej nga ajo.
Në këtë çështje, amerikani dha një qëndrim të qartë dhe të prerë, duke e cilësuar procesin të padrejtë.
“Fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim këtu në Hagë për më shumë se pesë vite, dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht, si dhe fakti që janë mbajtur kaq gjatë, më shqetëson. Mendoj që kjo lidhet me politikën dhe me shtetin e së drejtës. Më shqetëson fakti që dikush të mbahet i burgosur për pesë vite para se të fillojë një proces gjyqësor, ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me gjykatën”, tha Rubin.
Megjithatë, për dëshminë e tij, James Rubin kishte qenë i përgatitur për një proces të gjatë.
“U përgatita për më shumë se 100 orë për këtë dëshmi. Ndërkohë, u konsultova me juristë. Më thanë se të mbash një burrë shteti në këtë mënyrë është e padrejtë”, tha Rubin.
Në vijim, 65-vjeçari u pyet nga prokurori për një raport ku thuhej se rreth 200 persona ishin ndaluar nga UÇK-ja, disa prej të cilëve edhe ishin vrarë. Por përgjigjja e tij ishte e prerë.
“Raportet e asaj kohe shpeshherë ishin të pavërteta. Qarkullonin shumë lajme të rreme. Por ne nuk kemi pasur dëshmi për këtë”, tha Rubin.
Kah fundi, prokurori e përmendi një fotografi të Rubinit së bashku me Artan Behramin, një të afërm të ish-presidentit.
Në përgjigje, Rubin shtoi edhe një dozë humori.
“Sa i takon zotit Behrami, nuk më kujtohet. Shqiptarët e Kosovës më kërkojnë shpesh që të bëjmë fotografi dhe unë mundohem të jem miqësor. I kërkoj ndjesë atij, por nuk më kujtohet. Meqë ra fjala, postimi më pëlqen, aty ku falënderohet Rubin dhe presidenti i SHBA-së për lirinë”, shtoi Rubin.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: