Në Prishtinë pritet të mbahet sot një protestë kundër paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Protesta është thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”.
Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta do të nisë në ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa më pas pritet të vazhdojë me marshim drejt Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku edhe do të përfundojë.
Organizatorët kanë theksuar se përmes kësaj proteste synojnë të kundërshtojnë çdo vendim që do të çonte në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke vlerësuar se një rritje e tillë do të kishte pasoja të rënda për qytetarët, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta.
Në njoftimin e tyre për media, organizatorët kritikojnë rritjet e vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike që nga viti 2022, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët.
Sipas tyre, KEDS-i ka kërkuar rritje të vazhdueshme të çmimeve, të cilat janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në kurriz të mirëqenies së qytetarëve.
“Qytetarët e Kosovës sot nuk paguajnë vetëm koston reale të rrymës, por edhe humbjet, keqmenaxhimin dhe gabimet e KEDS-it, vetëm për të garantuar fitime gjithnjë e më të mëdha për këtë kompani”, thuhet në deklaratë.
Organizatat përmendin gjithashtu ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë dimrit dhe rritjen e kostos së jetesës si pasoja direkte të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ato rikujtojnë rritjen prej 16.1% të miratuar vitin e kaluar dhe paralajmërimin për një tjetër rritje rreth 20% këtë vit, të cilën e konsiderojnë “zhvatje të hapur ndaj qytetarëve”.






