Atleti Erzen Zyberaj ka treguar klasin e tij në një garë shumë të vështirë, në 100 kilometra, që u zhvillua në Uludag të Turqisë, ku doli kampion i kësaj gare, duke befasuar të gjithë të pranishmit.
Ai në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tregoi se, përkundër që kishte disa probleme shëndetësore, ai vazhdoi garën ku u shpallë edhe kampion.
“Gara ka qenë e vështirë sepse unë kam pasur disa probleme shëndetësore, sepse realisht është dashur me e ndërpre atë garë, mirëpo unë nuk e kam ndërprerë, e kam vazhduar edhe në fund jam shpallur kampion”, tregoi Erzen.
Ai tha se kjo ishte pjesëmarrja e tij e tretë në gara ndërkombëtare të vrapimit nëpër mal në Turqi. Në dy të parat, ai kishte pasur disa probleme, ndërsa në të tretën u shpallë kampion, garë kjo që ishte më e vështira në krahasim me garat e tjera.
“Në vitin 2021, kur kam marrë pjesë për herë të parë, e kam lënduar këmbën dhe më është dashur ta ndërpres garën, pastaj vitin tjetër një garë tjetër, 60 kilometra, aty kam qenë duke fituar, por për shkak të disa problemeve që e kemi humbur shtegun, është dashur me u kthy prapë, me ba kilometra më shumë, edhe aty pastaj kam dalë i dyti, ndërsa këtë vit dola i pari. E treta e vërteta”, u shpreh Erzeni.
Ai thotë se fitorja më e madhe për të ka qenë bindja e vet-vetës se mund t’ia dalë të vrapojë në një distancë prej 100 kilometrash, në terren tejet të vështirë me përpjetëze e tëposhtëze të mëdha.
“Ultra maratonat, pra vrapimet mbi 40 kilometra, kërkojnë një ushtrim më specifik, duhesh me vrapu pak më gjatë, duhesh me ndejt në këmbë tua një kohë më të gjatë, duhen stërvitje, edhe fitnes, biçikletë, kërkon goxha kohë e mund. Unë prej që kam fillu prej tri viteve kam arritë me ndryshu. Unë them se jam kampion për veten time për faktin se kam arritë me e ndryshu veten time, me e bindë veten që unë mundem me vrapu 100 kilometra, sepse ne fillim kur kam fillu, thosha me vete “qysh munden njerëzit me vrapu 100 kilometra”. Ndërsa tash i bëj 100 kilometra dhe kënaqem”, tha Erzeni.
Ai tregon se në garën e fundit në Uludag të Turqisë, ka arritur t’i bëjë 100 kilometra për 12 orë e 35 minuta, në të cilën ka pasur rreth 4600 metra ngjitje. /atvlive.tv
Emisionin e plotë të mëngjesit për ditën e sotme e gjeni në videon më poshtë: