Google ka lëshuar një paralajmërim urgjent për miliarda përdorues të telefonave inteligjentë në mbarë botën, duke i bërë thirrje që të tregohen jashtëzakonisht të kujdesshëm me rrjetet publike Wi-Fi.
Sipas kompanisë, lidhja me internet falas në kafene, aeroporte apo vende të tjera publike mund të rezultojë fatale për të dhënat personale dhe financiare të përdoruesve.
“Këto rrjete shpesh janë të paenkriptuara dhe lehtësisht të shfrytëzueshme nga sulmuesit kibernetikë,” thuhet në paralajmërimin e Google, sipas mediave të huaja.
Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë ngritur alarmin prej kohësh: kriminelët mund të përdorin rrjetet publike për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit apo llogaritë bankare të qytetarëve.
Google rekomandon që përdoruesit të shmangin lidhjen me rrjete publike Wi-Fi sa herë që është e mundur dhe të monitorojnë rregullisht llogaritë bankare dhe raportet e kredive.
Kompania thekson gjithashtu se pajisjet Android mund të zbulojnë dhe paralajmërojnë për tentativa mashtrimi, ndaj përdoruesit duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë çdo njoftimi të sigurisë që u shfaqet në ekran.







