Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, Superliga e Kosovës në futboll rikthehet me ecurinë e saj të këtij edicioni me ndeshjet e xhiros së 26-të, raporton KosovaPress.
Ndeshja e parë e kësaj xhiroje do të zhvillohet sot dhe do të ballafaqohen Drita dhe Gjilani në derbin e madh të qytetit të Gjilanit.
Drita që tashmë me një dorë ka prekur titullin e kampionit pas ka krijuar distancë prej 11 pikëve nga ndjekësi i parë që është Ballkani, do të kërkojë tri pikë të reja për ta bërë kështu edhe më të lehtë rrugëtimin në javët e fundit të kampionatit, nga ana tjetër, Gjilani që e nisi shumë dobët sezonin, tashmë ka ri-gjetur formën dhe momentalisht ka 35 pikë në vendin e katërt dhe synon së paku pozitën e tretë që dërgon në garat evropiane sezonin e ardhshëm, shkruan KosovaPress.
Kjo ndeshje do të zhvillohet nga ora 14:00 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.