Të hënën kanë rinisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, në Prishtinë. Këto punime janë ndaluar dy herë radhazi nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Në fillimin e këtyre punimeve ka qenë kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe të Inspektoratit Komunal, raporton KosovaPress.
Drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë ka reaguar pas fillimit të punimeve, duke thënë se prezenca e tyre në sheshin “Xhorxh Bush” ka qenë në asistim të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës.
“Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera. Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje institucionale në përputhje me ligjin dhe për të garantuar sigurinë publike, duke respektuar gjithmonë kufijtë e kompetencave të saj”, thuhet në reagimin e Policisë.
Projekti për rregullimin e sheshit “Xhorxh Bush” e ka vlerën 18.4 milionë euro, ndërkohë që punimet ishin ndaluar duke kërkuar nga komuna që lënda për pajisje me leje të plotësohet.