Reshjet e borës pritet të vazhdojnë gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të së premtes në shumë pjesë të vendit, ndërsa lokalisht mund të shfaqen edhe gjatë ditës, herë pas here të përziera me shi në ultësira.
Në mbrëmje, intensiteti i reshjeve mund të rritet, duke krijuar shtresë dëbore sidomos në Rrafshin e Kosovës dhe Anamoravë. Temperaturat do të lëvizin ndërmjet 0°C dhe 2°C, të shoqëruara me erë të ftohtë veriore 4-8 m/s.
Të shtunën reshjet e borës do të vazhdojnë në orët e para, ndërsa pasdite pritet të pushojnë gradualisht. E diela sjell shpërndarje të vranësirave dhe intervale me diell, me temperatura deri në 5°C.
Nga e hëna parashihet mot më stabil dhe më shumë diell, por në ultësira do të formohet mjegull që mund të qëndrojë deri pas mesditës.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë 7°C deri 10°C, ndërsa në zonat me mjegull mund të jenë 4-5°C më të ulëta. Minimalet zbresin deri në -2°C. Erërat mbesin të lehta, me qetësi dominuese.







