Përgatiti: Krenare Mulliqi
Rreth 2 milionë euro më pak do të marrë vitin e ardhshëm komuna e Prizrenit nga granti qeveritar nga 33 milionë sa mori deri më tani.
Kjo komunë ndonëse u renditë e dyta, në të dhënat preliminare të procesit të regjistrimit të popullsisë, pati rënie të dukshme të numrit të banorëve.
Në Prizren tani jetojnë mbi 147 mijë banorë, teksa në vitin 2011 ky qytet kishte 178 mijë banorë.
Veç Prizrenit edhe 19 komuna të tjera parashikohet se do të përfitojnë miliona euro më pak nga Qeveria, pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Sipas instituti GAP, nga buxheti vjetor i komunave që ndahet në bazë të numrit të banorëve, 13 komuna të tjera do të marrin miliona euro më shumë.
“Prishtina është komuna që do të marrë më së shumti para, fuqinë më të madhe komunat e kanë prej granateve dhe të hyrave vetjake dhe në momentin që zvogëlohet normal që reflekton…”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.
Vlerësohet se komunat u dëmtuan vitet e fundit, shkaku i statistikave të pasakta lidhur me numrin e banorëve.
“Shërbimet që iu ofrohen qytetarëve, u ofrohen për kokë banori dhe natyrisht kjo i shkakton dëme, sepse mungesa e buxhetit natyrisht shkakton pengesa edhe në zbatimin e politikave lokale që i kanë komunat…”, tha Kenan Gashi nga Avonet.
Andaj ndarja e granteve në mënyrë të saktë, duke u bazuar në numër të banorëve po konsiderohet shumë e rëndësishme.
“Teknikisht ka mundësi të bëhet që grantet të realizohen vitin e ardhshëm, por gjasat ekzistojnë se ky aplikim të bëhet edhe në 2026, por nuk ka mundësi të shtyhet sepse komunat dëmtohen…”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.
Mbi 40% e buxhetit vjetor të komunave vjen nga granti i përgjithshëm, derisa 89 përqind e këtij buxheti ndahet bazuar nga numri i popullsisë së komunës.