Ylli brazilian i Barcelonës, Raphinha, ka folur me sinqeritet për përvojën e tij pas garës për Topin e Artë (Ballon d’Or), duke pranuar se kishte pritshmëri të larta, por se zhgënjimi e ka bërë më të pjekur si futbollist dhe si njeri.
Në një intervistë të fundit, Raphinha tregoi se fillimisht ishte i zhgënjyer që nuk arriti të ishte mes fituesve, por ajo përvojë i ka dhënë një mësim të vlefshëm.
“Kisha pritshmëri të mëdha për të fituar Topin e Artë… Po, u zhgënjeva.
…Por në të njëjtën kohë, ajo më mësoi përulësinë dhe perspektivën,” – tha lojtari i krahut të Barcelonës.
Braziliani theksoi se futbolli është mbi të gjitha një sport kolektiv dhe se suksesi personal vjen si pasojë e punës së ekipit.
“Topi i Artë është një çmim individual, por futbolli është një sport ekipor. Kur shikoj gjithçka që kam arritur me Barçën dhe Brazili, e kuptoj se kam shumë për t’u falënderuar, jo për t’u zhgënjyer. Jam përnjëmend mirënjohës,” – shtoi ai.
Raphinha përfundoi duke nënvizuar se fokusi i tij aktual është tek objektivat e skuadrës:
“Çmimi im i ardhshëm? Dua që të jetë kolektiv. Fokusi im është vetëm te suksesi i ekipit.”
Deklaratat e tij kanë marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, ku tifozët kanë përgëzuar lojtarin për qëndrimin e tij të pjekur dhe të përulur.







