Në ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbajti një tubim në Ferizaj, ku kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, u prit nga qytetarë të shumtë.
“Ferizaji është qytet i njerëzve punëtorë, qytet i punës, i bashkëjetesës dhe i zhvillimit, një motor i rëndësishëm i Kosovës moderne”, tha Haradinaj, duke shtuar se mbështetja e qytetarëve tregon se Ferizaji kërkon politika që krijojnë punësim, vendime të guximshme dhe një qeverisje që i shërben qytetarit.
Ai gjithashtu theksoi se motoja e partisë, ‘Krah Teje’, është udhërrëfyesi i vizionit të saj për një Kosovë më të drejtë dhe më të zhvilluar. Në fjalimin e tij, Haradinaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit qytetar–institucion.
Përveç tubimit, ai ndau edhe një postim në rrjetet sociale, të shoqëruar me foto, ku rikujtoi masat ekonomike të vendosura gjatë mandatit të tij, duke përmendur taksën 100% ndaj Serbisë si një vendim strategjik për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. Ai shtoi se taksa dhe masat shoqëruese ndihmuan në rritjen e prodhimit vendor dhe aktivizimin e sektorit të brendshëm ekonomik.






