Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit nga presidenti i Izraelit, Isaac Herzog,
Ramës iu dorëzua medalja në një ceremoni të posaçme, organizuar në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem, ku ai ishte i ftuar me bashkëshorten e tij, Linda Rama dhe delegacionin shqiptar që e shoqëron në këtë vizitë.
Presidenti i Izraelit Isaac Herzog u shpreh se “Medalja Presidenciale e Nderit të Izraelit nderon ata si ju, që kanë ndriçuar botën me udhëheqjen e tyre të jashtëzakonshme, qartësinë morale dhe vlerat demokratike dhe ata që kanë dëshmuar miqësinë e tyre të guximshme me popullin hebre dhe shtetin e Izraelit”.
“Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit. Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qenieve njerëzore”, tha Rama.
Presidenti izraelit solli në vëmendje vizitën e tij në Tiranë në shtator duke u shprehur se “unë personalisht u mallëngjeva nga dhimbshuria juaj dhe dhurata prekëse për Idit Ohel, mamanë e Alon Ohel, i cili ende mbahet në bodrumet e Hamasit në shkelje të çdo parimi njerëzor dhe etik. Ne duhet ta kthejmë atë dhe çdo peng tjetër në shtëpi”.
“Si artist, ju keni aftësinë unike ta shihni botën, jo vetëm siç është, por siç mund të jetë dhe në këtë cilësi vizionare, kjo përbën shumë për kombin tuaj, edhe kaq shumë për lidhjet që kombet tona ndajnë aktualisht. Lidhja jonë po thellohet në kaq shumë fusha dhe sfera. Fluturimi i ri i drejtpërdrejtë midis Tiranës dhe Tel Avivit po thjeshton shumë udhëtimin dhe po ndihmon shkëmbimin e drejtpërdrejtë”, nënvizoi Herzog.
Gjithashtu, ai tha se “dua të përgëzoj Sundor Airline që e ka shtyrë përpara këtë zhvillim. Dua t’ju falenderoj personalisht, kryeministër që personalisht i mikpritët izraelitët, të cilët iu bashkuan fluturimit përurues me kaq ngrohtësi e bujari, saqë nuk ndalen së shkruari në WhatsApp, se sa e mrekullueshme ishte kjo gjë. Dua të përgëzoj Qendrën Mjekësore Sheba dhe Qeverinë Shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes për të ngritur një projekt të përbashkët mjekësor në Shqipëri. Dua t’ju falenderoj ju, i dashur Edi, dhe mikun tonë të dashur, profesor Yitshak Kreiss, që është drejtuesi ekzekutiv i Sheba-s për çuarjen e kësaj gjëje përpara”.
Më tej, presidenti i Izraelit foli edhe për rritjen më tej të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Vizioni i partneritetit dhe miqësisë sonë shkon përtej vetëm dy kombeve. Ai mishëron modelin e partneritetit midis etnive e besimeve fetare, e ja pse kemi me ne sot udhëheqës kaq të rëndësishëm fetarë, të cilët mund të ndihmojnë ta transformojnë Mesdheun Lindor nga një rajon konflikti, në një korridor bashkëpunimi e ndërlidhjeje, e në një model tolerante paqeje për Lindjen e Mesme, Europën e deri në Indi e më tej në Lindjen e largët në Azinë Juglindore e përtej. Tradita hebreje na mëson se bota qëndron mbi tri shtylla të barabarta: Drejtësia, e Vërteta dhe Paqja”, tha ai.