Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama solli sot në vëmendje përfitimet që do të ketë Shqipëria nga aplikimi i inteligjencës artificiale në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Kryeministri ishte i pranishëm në aktivitetin e javës Franko-Shqiptare për Inteligjencën Artificiale, Green AI, ku theksoi se Shqipëria ka ecur shumë para në procesin e integrimit evropian dhe synon të bëhet anëtare brenda kësaj dekade.
“Kemi një plan shumë ambicioz me Komisionin Evropian për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027, është një dritare e jashtëzakonshme mundësie për të cilën duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të mos e humbur. Duke përdorur intelegjencën artificiale po e bëjmë këtë punë me një shpejtësi krejt tjetër sepseVetëm për të transpozuar korpusin ligjor të BE-së, sikur edhe mekanikisht, në korpusin kombëtar legjislativ do të kërkonte një ushtri përkthyesish, hartuesish dhe ligjshkruesish dhe shumë njerëz të tjerë ”, tha kryeministri.
Kryeministri kujtoi se për Kroacinë, që në fakt pati një rekord mbresëlënës për të qenë anëtare në BE u deshën 7 vjet.
“Ne duam ta bëjmë më shpejt. Po krijojmë modelin që jo vetë transpozon në kohë reale por na jep pajtueshmërinë me legjislacionin tonë. Po ashtu është e aftë që t’u japë atyre njerëzve që duhet të përgatisin gjithçka për qeverinë dhe parlamentin aftësinë të shohin ngjashmëritë apo mospërputhjet mes asaj çfarë kemi këtu dhe asaj që vjen nga BE”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ky është modeli që po zbatohet në Ministrinë e Drejtësisë ku po gërmohet në pirgjet masive të ligjeve për të identifikuar të gjitha mbivendosjet.
“Nuk është fortë e rrallë që diçka që ti meriton ta marrësh nga një ligj nuk e merr dot se një ligj tjetër thotë jo. Kjo është një punë e jashtëzakonshme që po bëhet përmes inteligjencës artificiale”, tha Rama.