Një oficer i policisë franceze që vrau një 19 vjeçar më 14 qershor në jugperëndim të Francës është akuzuar për vrasje nga pakujdesia. Një tjetër i ri (Nahël) 17 vjeç, u vra të martën në mëngjes nga policia në Hauts-de-Seine. Analistët në Francë këtë rast e kanë komentuar duke thënë se ose ka mundur të jetë racist ose polici mund të ketë qenë i çmendur, sepse sipas tyre, këtë krim nuk do të mund ta bënte një njeri normal, shkruan gazeta zvicerane në shqip, Le Canton27.ch.
Të martën, rreth orës 08:15, policia me motoçikleta urdhëroi drejtuesin e një Mercedesi me ngjyrë të verdhë që ishte marrë me qira të ndalonte për kontroll, pasi kishte vërejtur disa shkelje rrugore.
Djali fillimisht do të kishte ndaluar automjetin e tij, përpara se të ri ndizte atë përsëri.
Sipas policisë adoleshenti do t’i kishte përplasur, andaj një oficer policia e kishte qëlluar atë.
Ndërsa, një video amatore tregon të kundërtën. Punonjësi i policisë nuk ishte përpara mjetit, por ishte anash derës së përparme të tij.
Në video shihet zyrtari policor duke i drejtuar shoferit armën e tij të shërbimit, përpara se ta qëllojë kur automjeti niset sërish.
Sipas avokatëve të familjes së viktimës, në video, autori i të shtënave fatale dëgjohet duke bërtitur “Do të të fus një plumb në kokë”.
Kolegu i tij duket se po e urdhëron të qëllojë duke i thënë “gjuaj” pak para se të dëgjoheshin të shtënat.
Polici 38-vjeçar i dyshuar për të shtënat me armë zjarri është dërguar në mbajtje për vrasje me dashje.
Vrasja e 17 vjetarit nga policia franceze ka ngjallur reagime të shumta në Paris ku janë organizuar protesta të dhunshme.
Tensionet do të kishin shpërthyer gjithashtu në disa qytete franceze si Marseja, Nante, Bordo apo Roubaix.