Të zemëruar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor u ftuan t’i bojkotojnë më 31 janar blerjet në disa dyqane të mëdha ushqimore.
Nisma u ndërmor fillimisht në Kroaci, më 24 janar, dhe rezultoi me rënie prej më shumë se 50% të shitjeve në të gjithë vendin.
Pas thirrjes së përfaqësuesve të konsumatorëve, kroatët nisën më 30 janar edhe një aksion të ngjashëm, por që do të zgjasë një javë, trasnsmeton REL.
Në shënjestër të bojkotimit janë disa zinxhirë të mëdhenj tregtarë, për shkak të dyshimeve se çmimet e tyre nuk përputhen me ato në vendet e tjera të BE-së.
Thirrje për bojkotime të ngjashme – kryesisht nëpër mediat sociale – u bënë edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Përgjigje pozitive ato morën në Serbi, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni.
Kjo, edhe përkundër faktit se çmimet e ushqimeve në Kosovë kanë shkuar duke u rritur, viteve të fundit.
Maqedoni e Veriut: “Çmimet janë shumë të larta”
Në Maqedoninë e Veriut, Sasho Ristoski thotë se rritja e çmimeve po rëndon jetesën, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.
“Po, po, kam dëgjuar për bojkotimin dhe do ta mbështes, sepse çmimet janë shumë të larta. Me këto çmime që kanë vënë marketet, nuk mund të mbijetosh”, thotë ky banor i Shkupit për REL.
Sipas tij, produktet bazë, të cilat kërkohen më shumë, janë ndër më të shtrenjtat.
“Thuajse të gjitha produktet e mishit, qumështi, vaji, sheqeri… Ne me të ardhura më të ulëta, mezi arrijmë ta përballojmë muajin”, shton pensionisti.
“Do t’i bojkotoj marketet nëse nuk kam para, por nëse më duhet bukë, do të shkoj ta blej”, thotë Lile Silanovska, po ashtu nga Shkupi.
Sipas analizave të Rrjetit të Biznesit, shtatë zinxhirët më të mëdhenj të tregut në Maqedoninë e Veriut gjeneruan të ardhura prej 930 milionë eurosh gjatë vitit 2023.
Në krye të listës është Vero, i cili regjistroi fitime mbi 10 milionë euro – një rritje prej gati 13% krahasuar me vitin paraprak. Në vend të dytë u rendit Kam Market me fitime neto prej 7.3 milionë eurosh. Në mesin e kompanive më fitimprurëse është edhe Kipper, me 5.5 milionë euro fitim, i ndjekur nga Stokomak me një fitim prej 4 milionë eurosh.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, paralajmëroi më 29 janar kontrolle të rrepta dhe sanksione për supermarketet që shkelin Ligjin për çmimet e produkteve.
“Gjatë konferencës për shtyp u përmendën dy zinxhirë marketesh, që mund të luajnë lojëra me ligjet dhe procedurat. Ata do t’i nënshtrohen një kontrolli rigoroz”, tha Mickoski.
Autoritetet, gjithashtu, shprehën mbështetje për bojkotimin e dyqaneve të mëdha, duke e cilësuar atë si një sinjal të qartë të pakënaqësisë së qytetarëve me situatën ekonomike në vend.
“Ne i mbështesim qytetarët në bojkotim, mbi të gjitha të tregjeve që, viteve të fundit, kanë rritur jashtëzakonisht çmimet e produkteve pa asnjë logjikë ekonomike”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.
“Ne, si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, kemi miratuar masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve, duke ngrirë marzhën e produkteve ushqimore bazë, në mënyrë që të mos çojë në rritje enorme të çmimeve”, shtoi ai.
Shumë qytetarë, organizata joqeveritare dhe të punës edhe në Mal të Zi bënë thirrje për bojkotimin e rrjeteve të mëdha tregtare, më 31 janar, për shkak të, siç thanë, çmimeve jashtëzakonisht të larta të ushqimeve bazë.