Qytetarët ankohen për rritje të çmimeve

Në Kosovë po vazhdon rritja e çmimeve të produkteve ushqimore.

Sipas qytetarëve, kjo rritje po del të jetë e papërballueshme, e që sipas tyre shtimi i inspektorëve në treg është i nëvojshëm.

“Çmimet janë të larta për pagat që janë në vend. Disi po duhet me ia dalë, sipas mundësive ashtu edhe po duhet të shpenzojmë. Qeveria të ketë pak rritje të rrogave, të pensioneve. Duhet të shtojë edhe numrin e shumë inspektorëve, sidomos në produktet e ushqimeve duhet me qenë në çdo market ta shohin çdo produkt sepse shumë keq kështu”, tha Mevlude Sylejmani, qytetare.

“Sa më shumë t’i zbresin çmimet, sepse për pensionistët është e vështirë. Por, dashtë Zoti të na zvogëlojnë çmimet, kish me qenë më së miri”, tha Ramadan Ajvazi, qytetar.

sipas ekonomistit Mustafë Kadrijaj vendimi i Qeverisë për ndalimin e transportimit të mallrave serbe në Kosovë, mund të ndikojë në rritjen e çmimit të produkteve.

“Tani kur e gjithë Kosova dhe e gjithë bota punojnë sipas ekonomisë së tregut dhe liberal dhe në të bëjmë këso hapa arbitrar, kjo do ta dëmtojë Kosovën si një shtet. Bizneset zakonisht kur ka këso spekulime ekonomike tentojnë që t’i rrisin çmimet dhe në këtë drejtim Ministria e Tregtisë përmes inspektoratit të tyre duhet të ndërmarrë hapa konform ligjit që të gjobiten bizneset që bëjnë rritje të çmimeve enorme”, tha Mustafë Kadrijaj, ekonomist.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë vendimi i Qeverisë së Kosovës mund të sjellë ngritje të çmimeve, si shkak i rritjes së kostove.

“Në afatshkurtër nuk besoj se do të ketë ndonjë efekt, mirëpo nëse zgjat më shumë kjo masë ndalese, atëherë do të ketë padyshim efekt, për arsyeje se gjithë ata qe e kanë marrë lëndën e parë në Serbi dhe në qoftë se tani nuk mund ta importojnë prej aty, do të detyrohen që ta kërkojnë në një treg më të lartë që do ju kushtojë më shtrenjtë, vet distanca e transportit do ta ketë koston më të lartë dhe do të vijë deri tek shtrenjtimi i lëndës së parë që ajo me automatizëm më pas do të reflektojë në produktin final”, tha Rafuna.

Rafuna për më tepër kërkoi angazhimin e inspektorëve në tregje, derisa nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thonë që inspektimi i tregut bëhet në baza ditore.

“Inspektorati i Tregut, konform mandatit ligjor që ka, bën monitorim të tregut në baza ditore, për të evidentuar dhe parandaluar çdo abuzim të mundshëm me çmimet e produkteve nga tregtaret kundrejt konsumatorëve. Çështja e abuzimeve me çmime të produkteve, të drejtat ekonomike të konsumatorëve dhe penalizimet ndaj subjekteve ekonomike që abuzojnë me çmime, rregullohet Ligji Nr. 06/L-034 Për Mbrojtjen e Konsumatorit. Gjobat që shqiptohen sipas këtij ligji, janë proporcionale me shkeljet që bëhen nga subjektet ekonomike”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor i çmimeve të konsumit ishte 0,1 % në muajin maj. Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin maj 2023, me muajin maj 2022, ishte 5,5 %. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA