Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Me të filluar sezoni i nxehtë, u shpeshtuan reduktimet e ujit.
Të pakët kështu thonë qytetarët, të cilët furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit.
Sipas tyre, pikërisht në temperatura të larta si të ditëve që lemë pas, duhet të ketë ujë mjaftueshëm.
“Verës po ka më shumë ndalesa, nga ora pesë e mbrëmjes ndalet nga një orë dy. mbajmë ujë rezervë, ka ra shi ka ujë mjaftueshëm, të mos përdoret uji pa lidhje”, tha Zahir Sallani, qytetar.
Mirëpo, që reduktimet të jenë të rralla, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, kanë apeluar për shpenzim racional të ujit.
“Konsumatorët e këtij liqeni shpeshherë gjatë verës ballafaqohen me mungesë të ujit, andaj të jeni të vetëdijshëm që ujin që e përdorim për pije të mos e përdorin assesi për destinime të tjera. Ne kemi laboratorin të akredituar fiziko-kimike dhe bakteriologjik brenda ujësjellësit ku mostrat merren paralelisht me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës”, tha zëdhënësja në KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.
Ndërkaq, peshkatarëve u bëhet thirrje që liqeni i Badocit mos të përdoret për këtë veprimtari dhe qytetarëve mos të zhytën në ujë.
“Ne e marrim ujin nga liqeni i Badocit dhe e trajtojmë atë deri tek konsumimi për pije. Nuk është që e ndot liqenin në mënyrë direkte sepse ne e kemi procesin teknologjik që e trajtojmë për të bërë ujë të pijshëm dhe e shpërndajmë te konsumatorët, por në shikim të parë nuk është mirë që uji që konsumohet dhe përdoret për pije, të lahen, të pastrohen apo të hedhin mbeturina dhe as peshkimi, sepse një gjë e tillë nuk është e lejuar në bazë të ligjeve administrative”, tha Mjeku.
Ankesa po ashtu ka edhe për tarifën e faturave. Ndërsa këtë javë u paralajmërua se mund shërbimet e ujit mund të shtrenjtohen.
“Më ka ardhë para 20 ditëve 250 euro me pagu ujin, e kam paguar nuk ka dalë me shiku gati gjashtë, shtatë muaj për me marr gjendjen. nga 10-15 euro i kam dhënë gjithë deri me të 20-tin që ma kanë dërgu me pagu 350 euro. Gjithmonë e kam paguar më rregull”, tha Tahir Krasniqi, qytetar.
Për herë të parë pas shumë viteve, liqeni i Badocit kishte arritur kuotën maksimale të kapërderdhjes në fillim të këtij viti.
Qysh atëherë, nga “KRU” Prishtina kanë thënë se nëse uji përdoret me kontroll, reduktimet nuk do të jenë të rralla.