Pavarësisht që në projekt ishte paraparë, madje edhe vendi i është lënë gjatë punimeve të vrazhda, ashensori nuk u instalua në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në lagjen Veternik të Prishtinës.
Sipas drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, instalimi i ashensorit nuk është bërë për shkak të mungesës së financave, gjë për të cilën, sipas tij, fajet i ka niveli qendror.
“Këtu ka qenë një problem, ka qenë qendër që është dashur shumë me bo ndryshime, nuk e kemi ashensorin, jemi t’u e pritë bartjen e mjeteve financiare mi bo edhe disa ndryshime që na kanë mbetë, me bartjen e mjeteve financiare ka filluar edhe procesi i liftit nga kompania përkatëse që ka punuar”, tha Sadiku.
Në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare ka pak pacientë. Për këtë, sipas Sadikut, po punohet që lagjja e Veternikut të jetë më e informuar që për çdo shqetësim shëndetësor t’i drejtohet kësaj qendre.
“Sipas stafit, 25-30 është numri i pacientëve brenda ditës. Neve na ka mbetur t’i sensibilizojmë banorët me informata që të vijnë ata këtu me i marrë shërbimet, mjeku familjar, stomatologu, shërbimi radiologjik, laboratorit që është shumë afër për qytetarët e kësaj pjese”, tha Sadiku.
Në anën tjetër, pacientët që po marrin shërbime mjekësore janë të kënaqur me kushtet dhe kujdesin që ofrohet në këtë qendër.
“Un e solla vajzën këtu te stomatologu për t’i rregulluar dhëmbët. Jam tepër e kënaqur me shërbimet që i ofrojnë këtu, stafi shumë i mirë”, tha Sebahate Krasniqi, paciente.
“Këtu tash më afër, atje ma larg na ka rënë, është dashur të shkojmë në Dardani, mirë po na presin”, tha Hanife Xhemshiti, paciente.
Kjo qendër pritet t’ju shërbejë afro 20 mijë banorëve të Veternikut. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: